English

Frika prej të vërtetës

Nga Zgjim Hyseni

Të enjten, më 26 qershor, Sadri Ferati udhëtoi për në Artanë (ish Novobërdë). Artana është njëra nga komunat që përmes procesit të decentralizimit parashihet të bëhet komunë me shumicë serbe dhe, kësisoj, mundëson nderlidhjen territoriale të komunave serbe prej Graçanaicës deri në Ranillug (kufi me Serbinë).

Qytetarët shqiptarë të kësaj komune kohë më parë e kanë kundërshtuar këtë proces përmes nënshkrimit të një peticioni ku edhe kanë paralajmëruar se nuk do të njohin asnjë autoritet që del nga ky process. A thua pse shkoi atje Sadri Ferati, mund të pyes dikush që nuk e njeh këtë njeri? A mund të ndodh që ai ta ketë marrë rrugën për t'u njoftuar nga afër me problemet e tyre, apo thjesht sa për të kryer një formalitet?

Para se të fillonte debati, ndodhi një gjë shumë indikative: një gazetareje që kishte ardhur për ta përcjellur debatin, nuk iu lejua xhirimi në debat. Dhe arsyetimi i zyrtarëve të ICO-së lidhur me këtë ndalesë, ishte tejet banal. Pasi që gazetarja këmbënguli të xhirojë, duke thënë se në asnjë debat publik nuk është i ndaluar xhirimi, zyrtari i ICO-së i përgjigjet se "nuk duhet xhiruar sepse qytetarët do të ngurrojnë të shprehen", ndërkohë që vetë personeli i ICO-së fotografonte pa u ndalur.

Me të filluar debati qytetarët e Artanës njëri pas tjetrit filluan të kundërshtojnë vendosur këtë proces që ata i shndërron pakicë në komunën e tyre, dhe ua jep pushtetin jo thjesht qytetarëve serbë, por strukturave paralele të Serbisë.

Për 2 orë e gjysmë sa ka zgjatur debate, asnjë qytetar i vetëm nga kjo komunë nuk e ka përkrahur këtë proces. Në një moment një ushtar i UÇK-së, i nevrikosur nga injoranca e ministrit th "mos harroni ju ministër dhe ky miku yt nga Evropa, se ne kemi ende deshmorë për t'i dhënë kësaj toke".

Në këtë moment shpërfaqet edhe arsyeja e mbajtjes së debatit, e edhe ndalimi i mediave për ta raportuar lidhur me këtë çështje. Sadri Ferati përgjigjet me një arrogancë të paparë dhe duke e rrahur tavolinën bërtet "ne nuk jemi duke e dizajnuar procesin, për këtë punë tashmë është marrë vendimi dhe mos të mendojë dikush se mund ta ndalë këtë proces".

Qytetarët e irrituar masivisht e lëshuan debatin, dhe brenda mbeti vetëm ministri me ca zyrtarë të ICO-së.

Nga e gjithë kjo ngjarje, një gjë vërehet qartë. Sadri Ferati  e din mirë që ky proces është i rrezikshëm dhe se për të është vendosur në negociata me Serbinë pa i pyetur fare qytetarët. Prandaj mban debate për hir të formalitetit, duke mos e dëgjuar fare së çfarë thonë qytetarët. Kulmi i tërë kësaj është ndalimi i gazetarëve që të xhirojnë në një debat.

Me qëllim që e vërteta rreth këtij procesi të rrezikshëm për Kosovën të heshtet dhe në këtë mënyrë të vazhdojë imponimi i këtij plani antishqiptar.

KOMENTE