Nga Shqiptar Oseku
Zori, thonë, ligj nuk njeh; e unë do të shtoja - s'njeh as nder. Kjo u dëshmua sërish kur plasi sherri i radhës mes PDK-së dhe AAK-së, me ç'rast zëdhënësit e PDK-së pranë qeverisë akuzuan kundërshtarin, pos tjerash, edhe se gjoja i "injoron simbolet e Kosovës".
Për mua, kjo akuzë ishte më interesante se zbulimi i ndërsjellët i aferave korruptive. Qeveria shpërdoron para të taksapaguesve, Ramushi mbledh haraç, bah! Kallëzomë diçka të re. Por: Hashim Thaçi, që është zotuar "s'e jap flamurin për shtet", e sulmon Ramushin pse e valon flamurin shqiptar, ky po që është lajm!
Për ty që s'ke mësuar t'i deshifrosh lajmet komuniste të RTK-së, fjala është për komunën e Deçanit, ku valon vetëm flamuri shqiptar. I cili, pra, kësisoj u jep legjitimitet veprimtarive jashtëkurrikulare të krahut të Ramushit. Që thua ti, janë patriotë gjindja, e u kemi borxh t'i durojmë edhe në na bëfshin sherr ndonjëherë. Apo shpeshherë...
E megjithatë. Pavarësisht prej kontekstit, kumti që valëvitja e flamurit (atij të vërtetit) në Kosovë po shndërrohet përsëri në argument të akuzës në Kosovë, është i veçantë. E se këtë akuzë e bën sërish pushteti, do të quaja një sensacion të vogël. Them të vogël, meqë shenjat janë parë qyshkur. Murat Jashari vetëdeklarohet në televizionin shtetnor si "kosovar me origjinë shqiptare". Flamuri hiqet nga godinat e institucioneve publike. Krerët e shtetit mungojnë në jubiletë mbarëkombëtare. Tash së fundi, e shpërfillin demonstrativisht ftesën për ta përuruar Rrugën e Arbërit...
Katundi që shihet, udhërrëfyes nuk do. PDK-ja sot, në pozitën e partisë dominuese të koalicionit qeveritar, është pjesëmarrëse aktive në sforcon për të sajuar një komb të ri nga qytetarët e Kosovës. Dora në zemër, ajo nuk është vetëm. Është fjala për një projekt grandioz, në të cilin janë të kyçur direkt apo indirekt tërë partitë politike që e kanë përkrahur Planin e Ahtisarit, farën e keqe të projektit. Por rrëshqitja graduale e PDK-së nga përkrahja sy e faqe drejt pjesëmarrjes aktive dhe entuziaste është domethënëse, meqë kjo parti neutralizon disa kategori të intelektualëve e votuesve të cilat përndryshe do të ishin revoltuar qëmoti.
Them që kjo rrëshqitje e PDK-së është vërtet për keqardhje. Ajo shpenzon kohë, resurse e energji për një projekt të mbarsur me defekte madhore, ndërsa rezultati maksimal që mund ta livrojë është, në rastin absolutisht më të mirë, i mangët. Apo si do ta quaje ti një sajesë që e pren degën ku ka ndenjur ulur tërë kohën? Një shtetth të skajuar e të tëhuajsuar që, ndonëse është ende në gjak me fqiun ngatërrestar, bie copë për të ngritur mur ndaj farefisit?!
Ti do të thuash mbase që jemi në rrugë për BE, e atje është nirvana. S'ka gjaqe, s'ka grindje, s'na duhet as kombi shqiptar; na korit para evropianëve. Por ta dish, që je gabim. BE-së i ra bretku duke i joshur serbët që të aderojnë para nesh; e pra, ata s'më duken aq entuziastë për të ndryshuar kombësi. Vetë gjermanët ranë copë gjersa e realizuan bashkimin kombëtar. A ka takuar kush ndonjë grek nga shteti i pavarur i Qipros që e prezenton veten ndryshe, veçse si grek?
Në fakt, madje as Plani i Ahtisarit - e cila përndryshe ka shtrydhur maksimumin prej Kosovës - nuk e kërkon gjëkund "komb kosovar". Ajo është marrë sall me aspektet e shtetit kosovar, një kompromis mes kombësive ekzistuese nën diktatin ndërkombëtar.
Mungesa e sovranitetit u maskua me flamur, stemë e hymn. Në frymën e Ahtisarit, këto do të dallonin prej Serbisë (për t'i pajtuar shqiptarët) por edhe prej Shqipërisë (për t'i kënaqur serbët). Por këto simbole, të koncipuara burimisht sall si dekorative, tani ujiten si farë e keqe nga PDK-ja me shokë.
PDK-ja duhet të zgjedhë. O do të ndërtojë një shoqëri demokratike. O një shtet që i jep vetes mandat që të sajojë e modelojë kombe sipas nevojës. Por të dyjat bashkë nuk shkojnë.
Zgjedhja s'do të duhej të ishte e vështirë. Ideja se shteti është agjenci e përshtatshme për formim të një Kombi të Ri, apo një Njeriu të Ri, konform nevojave të shtetit, është provuar gjetkë. Ataturku, Stalini, Erih Honekeri, për t'i përmendur vetëm disa, kanë punuar në atë drejtim. E përbashkët për ta është, se asnjëri s'quhej dot demokrat. Sajimi e/a modelimi i qëllimshëm i një kombi nga ana e shtetit s'ka asgjë të përbashkët me demokracinë liberale: asnjë demokrat për be s'do të ëndërronte që t'i japë shtetit një funksion e/a pushtet të këtillë.
Para udhëkryqit ndodhen edhe intelektualët e kapluar nga kjo fiks-ide. Bashkëjetesa mes intelektualëve dhe pushtetit, ku njëra palë ka kontribuar me ideologjinë, e tjetra me aplikimin e saj praktik, i ka sajuar ca nga dystopitë më të frikshme në historinë e njerëzimit. Qysh Leon Trocki te "Letërsia dhe revolucioni" shkruante për "njeriun sovjetik", produkt i manipulimit shtetëror, i cili do të ishte më i përshtatshëm për shtetin se sa kombësitë e trashëguara të të kaluarës "reaksionare". Ndonëse ai u likuidua nga Stalini, ideja e tij u kultivua më tutje nga filozofë sovjetikë si Berndard Bihovski, e nga poetët e shkrimtarët si Majakovski me shokë, gjatë tërë epokës sovjetike.
Edhe në Gjermaninë lindore, qe një dorë e intelektualëve të nomenklaturës që u frymëzuan për sajuar komb të ri, të dallueshëm prej farefisit matanë kufirit. Kush ka kohë e dëshirë, le të lexojë autorë interesantë nga ajo kohë, si Kosing/Schmidt (1979:1970); apo Kosing (1976). Meuschel (1998: 274-305), për t'u njohur me manualet e frikshme në praktikën e sajimit e/a modelimit të kombit sipas nevojave të shtetit.
Dora në zemër, intelektualët shqiptarë që e mbështesin idenë e "kombit kosovar" nuk kanë arritur ende gjer në ato nivele të larta. Ata shpurdhin më tepër në nivel të sharlatanizmit, duke i bërë lëmsh termet e politologjisë, teoritë për natyrën e kombit dhe, para së gjithash, për rolin dhe funksionin e shtetit në shoqëritë moderne. Një dorë dekonstruktivizëm, sa për ta shthurur ideologjinë e nacionalizmit shqiptar. Një garuzhde etatizëm modernist, për ta ndërtuar Kombin e Ri. Nja dy gishta kritikë ndaj rendit ekzistues, është gjithmonë mirë ta kesh; e voilà , ja urdhëroni fabrikatin e ri. Receta e "kosovaristëve" tanë s'është as e sofistikuar, as konsekuente si e rusëve apo gjermanëve, shyqyr zotit. Por megjithatë. Më mirë t'u themi ndal tepër herët, se tepër vonë.
(Le të them direkt, para se dikush të ushtrojë qitje moraliste: nuk e barazova demokracinë me rendin socialist. Veç konstatova se socializmi, si po shihet te ne kohëve të fundit, nuk është parakusht i domosdoshëm për shkallime intelektuale.)
PDK, por edhe partitë tjera kosovare, tok me vartësit e tyre intelektualë, bëjnë mirë ta kuptojnë një gjë. Procesi i formësimit të kombeve ka ndjekur rrugë të ndryshme në vende të ndryshme. Te ne, mëse 90 për qind të qytetarëve janë këta që janë, shqiptarë, pikë fund. E zotësia e politikanit dhe detyra e shtetit nuk është të sajojë kombe - atjeqoftë! - po ta kuptojë drejt trashëgiminë që i ka rënë hise, për ta administruar urtësisht e përgjegjësisht kundrejt qytetarëve dhe brezave që vijnë.
Nuk e kuptoj pse PDK-së & Co. s'u mjafton kaq, kur u mjafton tërë kolegëve të tyre gjetkë që, turp të themi, kanë arritur goxha larg para nesh?