Tiranë, 5 Korrik NOA - Lëvizja Socialiste për Integrim ka publikuar disa negociata që ajo tha se Edi Rama ka bërë për të pasur një koalicion mes tyre duke ofruar edhe postin e kryeministrit.
Sekretari i Përgjithshëm i LSi, Petrit Vasili duke folur për mediat, tha se Edi Rama i ka dërguar SMS Ilir Metës ku i ofronte të bëhej kryeministër, pasi vetë Rama, do të blinte disa deputetë të djathtë.
***
Fillimisht Vasili i ka kërkuar në emër të LSI-së, Edi Ramës që "të administrojë me qetesi humbjen e zgjedhjeve dhe ta pranojë në mënyrë qytetare atë, sepse ky ishte verdikti që dhanë shqiptarët më 28 Qershor".
"Sot është dita kur Edi Rama do të duhej te reflektonte dhe të kërkonte ndjesë për fajin fatal për Kodin Zgjedhor antiopozitar, qe ai beri me qëllimin e vetëm për të asgjësuar LSI dhe që i humbi opozitës së paku 12 mandate, shumica e të cilëve i përkisnin LSI si dhe për mijëra vota opozitare, të cilat vajtën dëm për shkak të formulave të liga", - deklaroi fillimisht në takimin me mediat, z.Vasili.
Më tej, tregoi: "Opinioni publik duhet ta dijë se deri dje Edi Rama i çonte emisarë Ilir Metës për t'u bërë Kryeministër i vendit duke blerë deputetë nga e djathta, duke mos u çliruar dot nga filozofia e trafikimit të votave dhe njerëzve, filozofi e cila ishte edhe baza e mekanizmit mafioz dhe policesk manipulativ të tij në dëm të mijëra e mijëra votave të LSI".
Por Vasili ka treguar edhe se "Edi Rama dështoi edhe në tentativën e ndërtimit të një qeverie PS -PD që do të destabilizonte thellë vendin dhe do ta zhyste atë në krizë të thellë politike, ekonomike dhe sociale dhe doli me pas nen trysninë e dështimit që të hidhte balte dhe mllef mbi marrëveshjen parimore dhe kushtetuese ndërmjet LSI dhe PD".
Në vijim të daljes mediatike, Vasili vlerësoi në emër të LSI, se "Edi Rama duhet të skuqet e turpërohet kur i përmend 87 mijë votat e LSI, sepse ato ishin votat e sakrificave të njerëzve të LSI që i shpëtuan thonjve manipulativë të mafiozëve të paguar me miliona euro nga Edi Rama".
Vasili i dërgoi një mesazh të qartë Ramës kur tha se "ai duhet ta dijë mirë se jo vetëm ata, por edhe mijëra votues të tjerë të LSI, vota e të cilëve iu vodh paturpësisht provojnë zemërim dhe neveri, kur dëgjojnë Edi Ramen të flasë për to". Zyrtari i lartë i LSI, theksoi se "ne kemi qindra fakte që provojnë manipulimin e turpshëm të komisionerëve të paguar nga Rama, të cilët do të ndiqen edhe penalisht dhe nëqoftëse Edi Rama kërkon sinqerisht t'u shkojë të vërtetave deri në fund, e ftojmë të hapim së bashku të 4700 kutitë e votimit dhe jo vetëm ato ku skema manipuluese e tij ka dështuar".
Për LSI, tani është momenti që "Edi Rama të administrojë me dinjitet humbjen dhe te mos vazhdojë më të përdorë si mburojë PS për interesat e tij të brendshme personale dhe partiake".
Por për LSI, është gjithashtu momenti që Edi Rama të reflektojë për hartimin e një Reforme zgjedhore te re, te thelle dhe te ndershme thellësisht të ndryshme nga ky Kod zgjedhor i pandershëm qe sakrifikoi dhe përdhosi mijëra vota opozitare për hir te ambicies së papërmbajtur të Ramës për të fituar i vetëm dhe për të pasur në grushtin e tij të gjithë shtetin shqiptar".
Duke përfunduar, LSI e ftoi Ramën që "të heqë dorë nga destruktiviteti dhe obstruksionizmi i vjetëruar që bllokon institucionet dhe funksionimin e shtetit për hir të problemeve të brendshme të tij me partinë dhe karrierën e tij, probleme që duhet t'i zgjidhe me veten dhe partinë që akoma drejton".
e.l/NOA