English

Një pyetje e hapur

Nga Basri Kodra

Është i njohur pohimi i studiuesve të historisë shqiptare mbi shkaqet jofavorizuese për shqiptarët që vonuan zgjidhjen e çështjes së tyre kombëtare, si dhe të cilat ndikuan më në fund në zgjidhjen e përgjysmuar të kësaj çështjeje, gjatë valës së parë, të dytë dhe të tretë të krijimit të shteteve kombëtare në Ballkan.

Ndër këto shkaqe ata i kategorizojnë si më përcaktues katër: ndodheshin të vetmuar, ngase nuk i takonin asnjë familjeje të madhe të popujve evropianë (gjermanë, latinë apo sllavë); me shumicën e popullsisë ishin të besimit mysliman; në vend se të kërkonin me kohë pavarësinë, ata kërkonin autonominë; dhe, nuk ishin ngritur me kohë në luftë çlirimtare gjithëpopullore krahas fqinjëve të tyre, por bënin kryengritje të ndryshme lokale. Këto të dhëna të studiuesve dhe historianëve i kanë pohuar edhe më vonë veprimtarë dhe politikanë të ndryshëm, por i pranojnë dhe i pohojnë edhe tani, po ashtu, veprimtarë dhe politikanë të ndryshëm të kohës sonë. Por mbi të gjitha, brezi ynë shfaq prirje ta quajnë më përcaktues shkakun e parë - të qenit popull i vetmuar, pa mbështetje dhe pa ndihmë nga ndonjë Fuqi e Madhe, e cila do të mund të ndryshonte përcaktimin e fatit tonë historik. Përmes tejtheksimit të këtij fakti, ne, si të thuash, jo vetëm që duam të besojmë por edhe duam t'i shfajësojmë stërgjyshërit tanë për atë që, megjithatë, nuk mundën ta bënin. Pra, ne sot sikur themi se, Shqipërinë nuk arritëm ta bënim ashtu siç duhej ta bënim, në kohën kur fqinjët tanë i krijuan shtetet e tyre kombëtare, ngase nuk e patëm për krah ndonjërën nga Fuqitë e Mëdha të asaj kohe, e të cilat e vizatonin hartën e Ballkanit.

Në qoftë se, ndërkaq, mund të thuhet kështu për kohën kur Greqia fitoi pavarësinë (1829), ndërsa Serbia autonominë (1830) (vala e parë), apo për kohën e Kongresit të Berlinit (1878) kur Serbia, Mali i Zi dhe Rumania fitojnë njohjen e pavarësisë nga Fuqitë e Mëdha, e pak më vonë edhe Bullgaria (vala e dytë), si dhe për kohën e Konferencës së Londrës (1912/13) dhe të Luftës së Parë Botërore (vala e tretë), nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për kohën e Konferencës së Hagës (1991), Konferencës së Â Dejtonit (1995), përkatësisht të Rambujesë (1999) (vala e katërt), kur i zgjidhën çështjet e tyre kombëtare: sllovenët, kroatët, malazezët, serbët e Bosnjës (në dëm të boshnjakëve) dhe maqedonasit (në dëm të shqiptarëve). Dhe nuk mund të thuhet e njëjta gjë, ngase siç edhe dihet nga të gjithë, gjatë kësaj kohe, shqiptarët kishin në krah jo vetëm një nga fuqitë më të mëdha të kohës sonë, por pikërisht fuqinë më të madhe të kësaj kohe - Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke i krahasuar këto kohë dhe këto dy palë rrethanash të ndryshme, është e nevojshme të ngremë këtë pyetje: pse shqiptarët nuk arritën ta çojnë deri në fund procesin e ndërtimit të shtetit të tyre kombëtar në kohën e valës së fundit të krijimit të shteteve kombëtare në Ballkan, duke pasur për krah fuqinë më të madhe në botë, SHBA-në?!

E ngremë këtë pyetje në këtë formë, jo vetëm nga fakti se, siç e thash më parë, vërtet këtë çështjen e të ndodhurit pa krah e mendojmë si shkakun më përcaktues, por edhe ngase shkaqet tjera të cilat në atë kohë mund të kenë qenë mjaft përcaktuese, në kohën tonë disa janë shumë më pak përcaktuese, e disa tjera aspak.

Kuptohet se, për t'i hyrë analizës së thellë e të shumanshme në përpjekje për të gjetur një përgjigje e cila mund t'i përafrohet saktësisë, duhet që paraprakisht të pajtohemi me pyetjen e ngrehur në këtë mënyrë. Sepse pajtimi me këtë formë të shtruarjes së çështjes nënkupton se më parë ne duhet të lirohemi nga ndjenja e vetëkënaqësisë dhe e vetëmjaftueshmërisë në lidhje me krejt këtë që është arritur prej fillimi të shpërbërjes së Jugosllavisë, dhe sidomos nënkupton lirimin nga iluzioni se në Konferencën e Rambujesë, e më pas, gjatë bisedimeve në Vjenë, u arrit, siç po thonë politikanët pjesëmarrës në këto procese, më e mira e mundshme apo maksimalja e mundshme. Gjithashtu, kjo nënkupton edhe domosdoshmërinë e lirimit nga gënjeshtra e përhapur aq shumë, se gjoja pavarësia e Kosovës (e çfarëdo forme qoftë) na paska qenë edhe synimi përfundimtar i shqiptarëve.

S'do mend se një pyetje e tillë kërkon përgjigje, dhe s'do mend se përgjigja në këtë pyetje mund të gjendet. Po ashtu, një pjesë të përgjigjes, apo ndoshta, një variant të saj, mund ta japim edhe këtu, pavarësisht sa e saktë mund të jetë ajo. Por problemi nuk është këtu. Problemi është se përmes kësaj pyetje, më parë se të gjej përgjigje, dua të vë në pah arsyetimet mashtruese dhe bajate të disa politikanëve tanë të cilët dështimet e tyre të njëpasnjëshme në proceset politike në raport me bashkësinë ndërkombëtare dhe fqinjët mundohen të na i paraqesin si ‘suksese' dhe të ‘arritura maksimale'. Përgjigjen, pra, e kërkoj prej tyre, ndonëse e bëj këtë duke qenë i vetëdijshëm se po kërkoj përgjigjen aty ku nuk mund ta gjej. Janë këta politikanë, që kur flasin për të kaluarën tonë dhe fatin tonë historik, pajtohen, dhe këtu kanë të drejtë, me faktin se vërtet mungesa e një krahu të fuqishëm në radhët e shteteve - Fuqi të Mëdha të asaj kohe, ishte, jo shkaku i vetëm, por njëri nga shkaqet themelore, që Shqipëria s'u bë shtet ashtu siç ishte në përmbajtjen e vet natyrore; ndërsa në anën tjetër, po këta politikanë, nuk e përmendin fare këtë plotësim favorizues që historia ua ktheu shqiptarëve, duke pasur tanimë një krah të fortë (jo të çfarëdoshëm) siç janë SHBA-të, por mundohen të gjejnë shkaqe tërësisht anësore dhe banale me funksion gjithnjë mashtrues, për t'i mbuluar dobësitë dhe dështimet e shumëllojshme të tyre. Mirëpo, për politikanët tanë problemi as që mund të shtrohet në këtë formë. Sepse për ata nuk ka gjëkundi problem. Për ata dhe përkrahësit e tyre jo të paktë të quajtur ‘analistë' të politikës, hyrja në analizë të shkaqeve të drejtpërdrejta dhe anësore, të rrethanave objektive dhe subjektive, e më the të thashë, paraqet një punë përveç se të lodhshme, plotësisht edhe të kotë, ngase vetë çështja si e tillë nuk ekziston. Për ta, puna është kryer përfundimisht, ndërsa neve s'na mbetet gjë tjetër veçse të kthehemi e t'i shikojmë punët tona të përditshme private e personale në njërën anë, ndërsa politikanët do të vazhdojnë me punët e tyre gjithsesi të ‘mundimshme', që ta çojnë vendin në struktura më të larta të bashkësisë ndërkombëtare, siç janë NATO dhe BE, në anën tjetër. Pra, sikundër e thashë më lart, problemi është në çështjen e pranimit të problemit si të tillë. Sepse vetë pranimi i shtruarjes së pyetjes në këtë trajtë e parakupton dështimin vendimtar, ndërsa mospranimi, si i tillë, nënkupton çlirim nga përgjegjësia. E dihet së këta politikanë kurrë nuk kanë bartur përgjegjësi për veprimet e tyre. Në saje papërgjegjësisë së tyre ata, në të vërtet, mbesin në pushtet.

Mendoj se sjellja jonë politike, parcialiste e tillë çfarë është, dhe me synime ndarëse në vend se bashkuese, është shumë e dëmshme për të tashmen dhe të ardhmen tonë, ngase para të tjerëve, të cilët megjithatë po merren me ne, na paraqet ashtu siç nuk jemi në të vërtet - popull me vetëdije ende të paformuar kombëtare, në njërën anë, dhe popull pa synime të vërteta shtet-krijuese, në anën tjetër. E, paraqitja jonë si popull dhe si komb para faktorit ndërkombëtar ka tepër rëndësi në krahasim me pamjen personale të politikanëve, për të cilën ata aq shumë kujdesen, pamje kjo e cila sa më e mirë që të jetë, në stilin çfarë po praktikohet, aq më shumë e dëmton të parën.

KOMENTE