Korçë, 5 korrik NOA - Një operacion i koduar policor, çoi në zbulimin e një trafiku drogash të forta me klientë në rajonin e Korçës dhe më gjerë, njofton sot korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA e cila citon burime zyrtare policore.
Operacioni që mbante emrin "Kutia e parfumit", u përqendrua në lagjen nr 2 të qytetit juglindor, Korçë dhe u drejtua nga Seksioni Kundër Narkotikeve, në Drejtorinë rajonale të Policisë, pas një pune disa ditore.
Nga ky operacion u kap në flagrancë 17-vjeçari S. Ll, lindur dhe banues në Korçë, të cilit në momentin e prangosjes iu gjet dhe sekuestrua një sasi prej 120 gramë heroinë, si dhe një peshore elektronike që i shihni në foto.
Në momentin e kapjes së adoleshentit S.Ll, i pranishëm ishte dhe 18-vjeçari Vasjan Naum, lindur dhe banues në Korçë, të cilit nga kontrolli i mëpasëm i banesës së tij iu gjet dhe sekuestrua një arme luftarake dhe një sasi fishekësh që i shihni në foton e dytë që shoqëron këtë raport.
Nga hetimet paraprake të kryera, rezultoi se sasinë e heroinës së kapur, i riu S.Ll e kishte marrë nga 21-vjeçari Mikel Çekrezi, edhe ai, lindur dhe banues në Korçë.
Policia tha se për 17-vjeçarin S.Ll dhe për Mikel Çekrezin, u mor masa e arrestit në flagrancë për veprën penale të "Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve".
Kurse Vasjan Naum u arrestua në flagrancë për veprën penale të "Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak".
a.f/NOA