English

PS, Meksi: Berisha të mos rrëmbejë mandatin e nëntë të PS në qarkun e Fierit

Tiranë, 5 korrik NOA - Ermelinda Meksi ka dalë sot në një deklaratë për shtyp ku i ka kërkuar Berishës të ndalë çdo tentativë të dështuar për rrëmbimin e mandatit të nëntë të Partisë Socialiste në qarkun e Fierit.

"Një javë pas përfundimit të procesit zgjedhor, rezultati në qarkun e Fierit vazhdon të mbetet peng i komisionit qendror të zgjedhjeve, i cili nuk ka bërë asgjë veçse ka zvarritur punën duke mos përfunduar procesin e numërimit, të shumëpritur nga mijëra votues dhe qytetarë të Fierit dhe gjithë Shqipërisë" tha Meksi.

Në emër të Partisë Socialiste ajo i ka kërkuar KQZ-së, që në respekt të ligjit të mos zvarris numërimin e kutive të panumëruara të Fierit, që ndodhen prej ditësh në sallën e KQZ.

Sipas saj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duhet të vlerësojë urgjentisht ankimin e forcave politike për manipulim dhe shkelje të Kodit zgjedhor në Tiranë, Berat etj.

"I bëjmë apel faktorit ndërkombëtar për të monitoruar këtë proces, manipulimi i të cilit filloi në Fier e po vazhdon në KQZ, institucion për të cilin faktori ndërkombëtar ka premtuar garanci dhe monitorim.

I kërkojmë Sali Berishës të heqë dorë urgjentisht nga raprezaliet ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve të PS, raprezalje që kanë vazhduar gjatë gjithë natës në Fier nga policia.

Çdo veprim tjetër është një provokim i rëndë për elektoratin Fierak që mund ta nxjerrë situatën jashtë kontrollit dhe përgjegjësi i saj është Sali Berisha dhe KQZ e urdhëruar prej tij" tha më tej Meksi.

Ajo shtoi se Partia Socialiste nuk do të lejojë që asnjë votë e hedhur në kutitë e votimit të mos numërohet sipas ligjit.

k.k/NOA

KOMENTE