English

Çështja e emrit, ndërmjetësi i OKB-së sot në Maqedoni, nesër shkon në Greqi

Shkup, 6 korrik, NOA - Ndërmjetësi i OKB-së për emrin, Metju Nimiç sot mbërrin në Shkup, ku pritet të takohet me kreun shtetëror maqedonas për të mësuar qëndrimin e tyre për çështjen e emrit. Nimiç në Shkup do të qëndrojë deri më 7 korrik dhe më pas do të udhëtojë për Athinë.

Në prag të vizitës së mediatorit të OKB-së, ekspertët vendorë për çështje të politikës ndërkombëtare kanë vlerësuar se autoritetet politike në Shkup nuk janë duke treguar sinjale pozitive për arritjen e kompromisit me Greqinë.

Sipas tyre, autoritetet shtetërore maqedonase nuk janë të gatshëm për kompromisin për emrin, sepse qeveria e Gruevskit kalkulon me mbylljen e kësaj çështjeje.

Kryeministri Nikolla Gruevski vazhdimisht po përsërit qëndrimin se propozimi eventual për ndryshimin e emrit të vendit, duhet të kalohet në referendum.

Politikologu Zhidas Daskallovski vlerëson se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Maqedonisë është kundër ndryshimit të emrit, ndaj ideja për referendum është në favor të qeverisë, por sipas tij, organizimi i një referendumi për çështjen e emrit mund të shkaktojë polarizim mes qytetarëve.

Profesori universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare Denko Malevski ka vlerësuar se Maqedonia nuk është e gatshme për kompromis për çështjen e emrit, sepse sipas tij, qeveria Gruevski në tri zgjedhjet e fundit parlamentare ka luajtur me kartën nacionale. "Është shumë vështirë të pritet nga njerëzit që janë për momentin në pushtet, që të zgjidhet çështja e emrit. Ata do të kundështojnë pafundësisht mbylljen e kësaj çështjeje. Qeveria e Gruevskit është zënë në kurthin që ka krijuar vetë," ka thënë Malevski.

NOA-INA

KOMENTE