English

Masakër mes 7 shqiptarësh në qendër të qytetit, njëri mbetet i vrarë

Nga bashkëpunëtori ynë në Greqi

Livadhja, Greqi, 6 Korrik NOA - Një i ri shqiptar mbeti i vrarë pas një masakre që ndodhi sot në mesditë në qendër të qytetit Livadhja në Greqi, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.

Në sherrin e përgjakshëm u përfshinë shtatë djem shqiptarë, konfirmoi policia e rajonit Voitias, që po heton ngjarjen dhe po bën përpjekje për kapjen e personave të përfshirë në vrasje.

Gjithçka nisi në orët e para të ditës së Hënë në një klub nate në qendër të qytetit Livadhja, në rrugën "Xhoka", pranë të cilës gjendet dhe parku çlodhës i zonës.

Emigranti 36-vjeçar, gjendej së bashku me një shokun e tij, dy vjet më i vogël, kur u përball në rrethana ende të paqarta, me një grup prej pesë të rinjsh shqiptarë, që të gjithë të armatosur me thika dhe biçakë.

Grupi agresor i tërhoqi dy emigrantët drejt parkut për të shmangur mesa duket shikimin e asaj që do të ndodhte, nga okularë të mundshëm apo patrullat policore.

Mes dy burrave dhe grupit prej pesë të tjerësh, nisi një përleshje e cila përfundoi në pak minuta me plagosjen rëndë të 36-vjeçarit dhe emigrantit tjetër 34-vjeçar, por policia nuk i konfirmoi emrat e tyre.

Ndërkohë, pesë shqiptarët e tjerë që provokuan përleshjen e përgjakshme nuk pësuan lëndime për shkak se dy viktimat e tyre ishin të pambrojtur.

Menjëherë pas masakrës, pasi lanë përdhe të shtrirë mbytur në gjak dy emigrantët, pesë shqiptarët e tjerë u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Banorë të zonës të lemerisur nga skena që panë, kanë lajmëruar policinë dhe kjo e fundit mbërriti për të kryer hetimet e para.

Dy të plagosurit u dërguan në spitalin shtetëror të Livadhiasë.

Por për shkak të plagëve fatale, 36-vjeçari ka gjetur vdekjen pak minuta më vonë. Kurse në gjendje kritike për jetën, gjendet në spital, edhe 34-vjeçari tjetër i plagosur.

Duke folur për hetimin e ngjarjes, Dhimitris Çotas, Shefi i Policisë së rajonit Voitia, deklaroi se "kemi shoqëruar disa persona të cilët duket se kanë informacion mbi vrasjen dhe masakrën mes shtatë shqiptarëve".

"Ne besojmë se dy prej tyre janë të përfshirë në krim por ende nuk kemi siguruar prova që të ndërmarrim arrestime, ndaj jemi duke punuar për të identifikuar dhe ndaluar personat e tjerë që u përfshinë në ngjarjen e rëndë", - ka vijuar kryepolici Çotas.

n.s/NOA

KOMENTE