Pogradec, 6 Korrik NOA - Një burrë 47-vjeçar është përballur me dhunë të egër fizike dhe dyshohet se është kundërpërgjigjur në kushte vetëmbrojtjeje të cilat policia thotë se i ka ekzagjeruar, duke plagosur rëndë një prej agresorëve të tij.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 02.00, thanë sot për agjencinë e lajmeve NOA, burime zyrtare nga policia e Korçës, ndërsa shkaqet e krimit, ende nuk janë qartësuar.
I arrestuari është Luan Tollozhina, lindur në fshatin Buçimas dhe banues në qytetin e Pogradecit.
Burri nga Buçimasi që prej vitesh jeton në qytetin e Pogradecit, pranë shkollës "E. Minarolli", ishte duke shkuar për në banesën e tij.
Përpara hyrjes i kanë dalë përpara tre djem, të cilët i janë vërsulur pa e bërë të gjatë, duke e masakruar me mjete të forta.
Agresorët u identifikuan si, Artur Musolli, 35 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Vërdovë, i dënuar më parë për veprën penale të "Plagosjes së rëndë me dashje", Bledi Buzo, 30 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Pogradec dhe Markel Hafisllari, 25 vjeçar, lindur dhe banues në fshatin Vërdovë, i dënuar më parë për "Armëmbajtje pa leje".
Të tre burrat, kanë filluar të godasin 47-vjeçarin Luan Tollozhina, me mjete të forta, shkopinj bejsbolli, në pjesë të ndryshme të trupit.
Pak çaste më pas, janë dëgjuar të shtëna arme, nga të cilat ka ngelur i plagosur rëndë, me armë zjarri, 30-vjeçari Bledi Buzo.
Ky i fundit, me plagë serioze në njërën kofshë, për shkak të gjendjes së rëndë, është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Policia tha për NOA-n se për këtë ngjarje hetimet i kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec.
Policia konfirmoi se ndërmori arrestimin në flagrance të 47-vjeçarit Luan Tollozhina.
Burri pogradecar përballet aktualisht me akuzat për veprat penale te "Vrasjes së kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme e mbetur në tentativë" dhe të "Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit".
/a/f/k.k/NOA/