English

Obama, fokusim në kontrollin e armatimit

Nëse Obama largohet nga Moska i zhgënjyer, ai mund të vendosë se nuk ia vlen që të diskutohet me të ashtuquajturit refuzues të papërgjegjshëm në Moskë

Nga Philip P. Pan*

Arritja e përparimit në bisedimet për zëvendësimin e marrëveshjes vitale të kontrollit të armatimit bërthamor, do të ballafaqohet me pengesa siç janë planet për mbrojtje raketore amerikane dhe kërkesat e Rusisë për shkurtime më të mëdha në armatim.

"Tash për tash, ka dallime shumë serioze në pozicionet e Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë", tha Sergej Rogov, nga Instituti për Studime të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë në Moskë, i cili i kishte ndjekur bisedimet nëpërmjet negociatorëve rusë. Nëse presidentët nga këto bisedime dalin pa shpalljen e marrëveshjes, do të jetë e pamundshme të miratohet një dokument, që e zëvendëson Paktin Strategjik për Reduktimin e Armatimit (START 1) nga viti 1991, para se ai të skadojë, në dhjetor të këtij viti, thonë analistët. Kjo mund t'i bllokojë mekanizmat verifikues, që ishin kritikë për procesin e reduktimit të arsenaleve bërthamore në të dyja shtetet dhe mund t'i shkatërrojë përpjekjet globale kundër zgjerimit atomik. Kjo, po ashtu, do të paraqiste një hije të zezë për këtë samit, pasi të dy liderët, zëvendësimin e marrëveshjes START 1 e kishin vendosur në qendër të përpjekjeve të tyre për "ripërtëritjen" e raporteve të dyanshme, që ishin tensionuar gjatë presidencës së administratës Bush. "Nëse Obama largohet nga Moska i zhgënjyer, ai mund të vendosë se nuk ia vlen që të diskutohet me të ashtuquajturit refuzues të papërgjegjshëm në Moskë", tha Dmitri Sajms, nga Qendra Nikson në Uashington. Rusët, njëherësh, janë të prirë të besojnë se "nuk mund të arrihet shumë me Shtetet e Bashkuara", thotë eksperti Sajms. Geri Sejmor, ndihmës i zotit Obama për çështje të armatimit për shkatërrim në masë, u tha reporterëve se pritet që presidentët të deklarojnë progres lidhur me marrëveshjen, por jo edhe pajtueshmëri finale. "Negociatat i kanë zbutur dallimet, i kanë identifikuar çështjet kryesore dhe mendoj se do të jetë e mundshme për të dy presidentët, që të kenë diskutim të mirë dhe të arrijnë marrëveshje" në disa çështje, tha zoti Sejmor. Por, nuk ka pasur kthesë në mospajtimet lidhur me planet e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sistemit mbrojtës raketor në Evropën Lindore, për t'u ballafaquar me kërcënimin potencial nga Irani. Rusia thotë se kjo mburojë e dëmton aftësinë e saj për t'iu kundërpërgjigjur ndonjë sulmi bërthamor amerikan dhe aktualisht Dmitri Medvedev ka tërhequr vërejtjen se Rusia nuk do të pranojë asnjë marrëveshje, derisa të mos shqyrtohen shqetësimet e saj.

(*) "Washington Post"

KOMENTE