English

PS, Braçe: Berisha po zgjat procesin zgjedhor, për të deformuar votën e shqiptarëve

Tiranë, 6 korrik NOA - Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ka dalë sot në një deklaratë për shtyp ku është shprehur se Sali Berisha po zgjat procesin zgjedhor, për të deformuar votën e shqiptarëve.

"Procesi zgjedhor i nisur më 28 qershor nuk ka mbaruar, nuk po mbaron dhe nuk dihet kur do të mbarojë.

Shtrirja e paligjshme e tij përtej çdo caku, po ushqehet nga bindja kriminale e Sali Berishës për të deformuar e vjedhur votat e shqiptarëve për forcën e parë politike në vend, Partinë Socialiste.

Kjo përpjekje kriminale që shkel rëndë Kushtetutën, duke mos numëruar votat e shqiptarëve edhe 7 ditë nga hedhja e tyre në kutinë e votimit, po rrënon përfundimisht dhe pa kthim procesin zgjedhor në këtë vend, proces i cili kështu nuk ka më asnjë standard ndërkombëtar që ta bëj të pranueshëm" tha Braçe.

"Çdo votë e panumëruar, çdo votë e vjedhur, cënon këtë parim kushtetues duke e bërë tërësisht të papranueshëm procesin zgjedhor.

Në Berat, qytetarët i kanë dhënë Partisë Socialiste mandatin e 5-të, (dua t'ju kujtoj se edhe me bashkimin e ri Berisha-Meta, Partia Socialiste ka 8 mijë vota më shumë), mandat i cili po vidhet nga Sali Berisha.

Ne kemi të gjitha provat e mjaftueshme që ai mandat është i yni, ndaj kemi kërkuar duke u mbështetur në ligj, transparencë mbi çdo votë të numëruar në kushte terrori e presioni kriminal në KZAZ nr 1. Kemi kërkuar rivlerësimin e 750 votave të pavlefshme, të shpallura të tilla në kushte presioni e pa vendim të administratorëve në KZAZ nr 1" deklaroi më tej Erjon Braçe.

Ai shtoi se qeveria virtuale e 48 orëve të fundit, është instrumenti i paligjshëm dhe i dhunshëm, që kërkon të dekurajojë numërimin dhe transparencën e çdo vote.

Sipas tij, Sali Berisha dhe Ilir Meta, në këto 48 orë kanë shumë të përbashkëta, por këtë herë i bashkoi interesi jetik për t'i mohuar çdo shqiptari votues në Tiranë, Berat, Fier, Shkodër, leximin e transparencës e çdo vote të lirë që e ka bërë Partinë Socialiste forcë të parë politike në vend.

k.k/NOA

KOMENTE