Prishtinë, 7 korrik, NOA - 310 policë serbë u kthyen në Policinë e Kosovës pas gati një vit e gjysmë largimi nga puna që nga shpallja e pavarësisë. Ata u kthyen në punë në mënyrë të organizuar dhe ky veprim u përshendet nga qeveria e Kosovës, e cila ishte e vendosur që t'ua ndërpriste kontratat e punës nëse ata nuk ktheheshin në detyrë. Mirëpo kthimi në detyrë i policëve serbë ka ndarë në qëndrime vetë përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. Ndërsa përfaqësues politikë serbë të Kosovës qëndrore mendojnë se ishte një veprim i mençur, politikanë serbë të veriut kërkojnë nga policët serbë që të distancohen nga institucionet e Kosovës.
Rangjel Nojkiç, politikan serb nga Graçanica, jo larg Prishtinës, e përshëndeti kthimin në punë të policëve serbë. Ai thotë se "padyshim ky është një lajm i mirë dhe besoj se në këtë mënyrë do të përmirësohet gabimi i bërë më herët. Vetëm kështu mund të relaksohen raportet."
Marko Jakshiç, nënkryetar i organit paralel të quajtur Kuvendi i komunave dhe vendbanimeve serbe të Kosovës, ka frikë se mos serbët e kthyer janë kushtëzuar dhe kanë pranuar pavarësinë e Kosovës. "Do të ishte një lajm i keq nëse policët serbë të kthyer në vendet e punës e kanë pranuar pavarësinë. Ata duhet ta ndihmojnë popullin serb të Kosovës gjë që është një gjë e mirë. Nëse kthimi është kushtëzuar me pranimin e pavarësisë, atëherë shtrohet pyetja se çfarë ndihme është në të vërtetë kjo, sepse për serbët nuk ekziston pavarësia e Kosovës," - thotë Marko Jakshiç.
Zyrtarë nga qeveria e Kosovës thonë se policëve serbë nuk u janë vënë kurrfarë kushtesh që të kthehen në vendet e tyre të punës, pos që janë paralajmëruar se nëse nuk kthehen në detyrë do t'u ndërpriten kontratat e punës, sepse kështu e parasheh ligji. Mirëpo menjëherë pas kthimit të policëve serbë në detyrë, qeveria e Serbisë tha se ky kthim paraqet kthim në gjendjen para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Këto pohime mohohen nga zyrtarë të misionit evropian EULEX-it. Zëdhënësja e këtij misioni, Karin Limdal, thotë se me Beogradin nuk është negociuar kthimi i policëve serbë: "Nuk ka pasur kurrfarë negociatash. Shefi i misionit EULEX, Yves de Kermabon, është shprehur disa herë që është shumë e rëndësishme që policët të kthehen në punë. Kjo për faktin që Policia e Kosovës të jetë forcë shumë-etnike dhe të punojë në interes të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Por nuk ka pasur negociata për kthimin e tyre dhe në fund të fundit misioni EULEX, nuk ka mandat që të negociojë."
Sidoqoftë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës thonë, se Policia e Kosovës duhet të jetë një polici unike. Do të ketë vetëm një komandë qendrore sepse kështu e parasheh Kushtetuta e Kosovës.
n.e/NOA