English

Akuzat e PS për parregullsi në zgjedhje: Jo vetëm Fieri, po dhe qarku i Shkodrës problematik

Tiranë, 7 korrik, NOA - Përmes kandidatit për deputet në qarkun e Shkodrës, Ilir Beqja, selia rozë ka bërë publike denoncimet e saj mbi shkeljet që janë vënë re në procesin zgjedhor të 28 qershorit në këtë qark.

"Edhe pse vëmendja e opinionit publik është sot e përqendruar në qarkun e Fierit, ku ende procesi i numërimit të votave të qytetarëve fierake nuk ka mbaruar, dëshiroj të denoncoj publikisht disa nga parregullsitë e procesit zgjedhor të konstatuara në qarkun e Shkodrës", ka thënë Beqja.

Sipas tij, në KZAZ nr.40, 6 qendra votimi u vendosën në mjedise private, të cilat në të gjitha rastet kanë qenë në pronësi të militantëve të Partisë Demokratike, duke ushtruar kësisoj presion të hapur ndaj votuesve.

"Vendndodhja e qendrës së votimit 276 është ndryshuar një ditë përpara datës 28 qershor duke bërë që shumë votues të Partisë Socialiste të mos dinë ku duhet votuar. Ndërsa në qendrat e votimit nr. 240, 293, 299, 303 janë me dhjetëra zgjedhësit për të cilët nuk është shënuar numri i letërnjoftimit apo numri i pasaportës për jashtë shtetit, por vetëm shënimi me kartë apo me pasaportë, çka përbën një shkelje të rëndë të Kodit Zgjedhor", shtoi Beqja.

Më tej ai dha edhe fakte të tjera shkeljesh, sesi përshembull "në qendrën e votimit 285 janë 97 fletë votimi të cilave nuk është hequr kundra fleta, apo atë që në qendrën e votimit 313 janë 25 fletë votimi të vulosura me bojë tjetër, sikundër në qendrat e votimit 317 dhe 319 janë përdorur vula me dy ngjyra të ndryshme etj".

"Të gjitha këto kontestime janë prova më e qartë se procesi zgjedhor ka qenë jashtë standardeve të kërkuara dhe në të njëjtën kohë ka ndryshuar rrënjësisht vullnetin e lirë të shqiptarëve", denoncoi Beqja.

n.e/NOA

Â

Â

KOMENTE