English

Dy persona të armatosur sulmojnë një familje kosovare në Kukës

Kukës, 7 korrik NOA - Një familje nga Kosova është sulmuar nga dy persona të armatosur në rrethin e Kukësit.

Dyshohet se autorët të armatosur por të pa maskuar kanë pasur si qëllim rrëmbimin e djalit 8-vjeçar të familjes.

Ngjarja ndodhi rreth orës 3:15 të mëngjesit të sotëm në vendin e quajtur "Ura e Rexhepajt" të Kukësit, kur një 28-vjeçare bashkë me vëllain e saj, kunatin dhe dy fëmijët e mitur po udhëtonte nga Kukësi në drejtim të Durrësit.

Pikërisht në këtë vendi mjeti me të cilin po udhëtonin kosovarët ka ndaluar për shkak të disa gurëve që ndodheshin në rrugë.

Në momentin që ata kanë dalë nga mjeti për të zhbllokuar rrugën u janë afruar dy persona të armatosur ndërsa nuk ishin të maskuar.

Ata i kanë kërkuar kosovarëve djalin 8-vjeçar, gjë e cila është kundërshtuar prej tyre.

Këtë fakt e pohon 28-vjeçarja nga spitali i Kukësit ku aktualisht po kurohet pasi u qëllua me armë nga një prej autorëve në momentin që sipas saj po mbronte fëmijën.

Sipas deklaratës së 28-vjeçares autorët nuk kanë kërkuar të grabisin para apo sende me vlerë ata kanë dashur vetë djalin.

Ndërkohë që policia e lajmëruar për ngjarjen ka nisur menjëherë hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët.

k.k/NOA

KOMENTE