Moskë, 7 korrik, NOA - Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia do të firmosin një marrëveshje të re për reduktimin e armëve strategjike në kohën kur marrëveshja aktuale START skadon në muajin dhjetor.
Një fakt i tillë është mundësuar të konkludohet në takimin e përbashkët mes dy presidentëve homologë, Obama dhe Medvedev, në kuadrin e turit që presidenti i SHBA-ve ka nisur nga Moska.
Ndërsa në takimin e sotëm me kryeministrin rus, Vladimir Putin, ai deklaroi se ata mund të mos jenë dakord për çdo çështje, por që të dy kishin një mundësi të shkëlqyer për t'i
vendosur marrëdhëniet ruso-amerikane në baza më të fuqishme.
Nga ana e tij, kryeministri Putin u shpreh se Rusia shpreson në marrëdhënie më të
mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë administratës Obama. Lideri amerikan vlerësoi lart "punën e jashtëzakonshme të Putinit si president dhe tani si kryeministër i Rusisë".
Ndërsa në takimin me Medvedev, presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë caktuan si pikësynim që të zvogëlojnë arsenalin bërthamor të vendeve të tyre mes 1,500 deri në 1,675 mbushje raketash secili për 7 vjet. Numri i lëshuesve të raketave do të zvogëlohet mes 500 deri 1,100 për çdo vend.
"Ne kemi ndërmarë hapa të rëndësishëm drejt shtimit të sigurisë dhe ndalimit të shpërndarjes së armëve bërthamore. Kjo nis me zvogëlimin e arsenalit tonë bërthamor. Dy fuqitë që udhëheqin botën me armë bërthamore, duhet të japin shembullin e tyre", tha Obama lidhur me një fakt të tillë.
Presidenti Medvedev tha se pa bashkëpunimin Rusi -SHBA, ka pak mundësi suksesi kundër kërcënimit nga Afganistani, i cili përfshin terrorizmin dhe trafikun e drogës.
Ndërsa presidenti Obama shfaqi tek aleati i tij rus shqetësimet rreth një propozimi të SHBA për sistemin mbrojtës me raketa në Europën Qëndrore, duke njoftuar se të dy palët duhet të përcjellin një vlerësim të përbashkët për kërcënimin që paraqet Irani dhe Koreja e Veriut. Megjithatë të dyja palët kanë mbetur tek mendimet e mëparshme për sistemin.
SHBA dhe Rusia gjithashtu arritën marrëveshje për krijimin e një komisioni i cili do të kërkojë që të përcaktojë fatet e njerëzve të tyre të humbur në detyrë gjatë luftës së dytë Botërore, luftës së Koresë, Vietnamit, Luftës së Ftohtë dhe Afganistanit.
Presidenti Obama ka thënë shumë shpesh në të kaluarën, se Rusia dhe SHBA kanë komunikuar në rang të ngushtë për këto çështje ose kanë lejuar metodat e vjetra me burokracitë e tyre që të qëndronin në rrugën e progresit. Për këtë arsye, ai njoftoi krijimin e një komisioni dypalësh presidencial i cili do të punojë mbi çështjet të tilla si ekonomia, energjia, ambjenti, energjia atomike, kontrolli i armëve, siguria ndërkombëtare, mbrojtja, politika e jashtme dhe kundraterrorizmi.
n.e/NOA