Shkup, 7 korrik, NOA - Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) më në fund ka publikuar dokumentin e shumëpritur, që është bazë për një pakt të ri për barazi midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Në dokumentin e publikuar theksohen 12 pikat të cilat janë pjesë e siç thuhet kontratës së re që do të përkufizojë të drejtat dhe obligimet e ndërsjella të shqiptarëve dhe maqedonasve. Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka deklaruar se të gjithë faktorët politik në vend duhet të lexojnë dhe shqyrtojnë këtë marrëveshje, pa dalur paraprakisht sipas tij me paragjykime.
Thaçi i pyetur se cilat janë dallimet midis Marrëveshjes së Ohrit dhe projekt dokumentit më të ri të PDSH-së, deklaroi se "në shikim të parë duket se nuk ka fort dallime dhe se ato janë shumë të vogla, por po të analizohet thellë dallimet mund të jenë edhe esenciale në aspektin e procesuimit, realizimit dhe garantimit të implementimit të kësaj marrëveshjeje".
Sipas kryetarit të PDSH-së, kanë kaluar të gjitha afatet për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, që ishte paraparë fundi i implementimit të saj më 2004, dhe se pastaj në kuadër të kësaj marrëveshje nuk parashiheshin penalizime apo sanksionime për ngecjen e procesit.
"Marrëveshja e Ohrit është bukur e paqartë në aspektin e krijimit të shtetit etnik, multietnik, gjysëm etnik dhe të tjerë, ndërsa kjo mendoj se i përmban parimet bazë politike të krijimit të shtetit multietnik", ka theksuar Thaçi, duke shtuar se kjo marrëveshje tashmë është platformë politike e PDSH-së, e cila do ti nënshtrohet një debati të gjërë. Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka theksuar se janë të përcaktuar për vlerat demokratike dhe integrimit në NATO dhe BE.
Marrëveshja e re e hartuar nga një grup ekspertësh të fushave të ndryshme i është shpërndarë të gjithë faktorëve politik në vend dhe në Kosovë e Shqipëri, faktorëve institucional, përfaqësive diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare.
Pikat e Marrëveshjes:
1. Zbatim e plotë dhe në afat të caktuar të pikave të marrëveshjes (kontratës). Në këtë vijë duhet të nxirret një ligj i veçantë ku parashikohen masa ndëshkuese për shkeljet dhe zvarritjet, për të gjitha manipulimet që ndikojnë që një e drejtë të bëhet e pashfrytëzueshme;
2. Barazinë e plotë dhe përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në sistem, si në shfrytëzimin e begative të sistemit, ashtu edhe në vendimmarrje. Kjo fushë do të kontrollohet me parimin e konsensusit të plotë. Këtu bënë pjesë edhe ndarja proporcionale e buxhetit. Nëse kjo ndarje nuk do të ishte e barabartë, të drejtat e ofruara, ashtu siç u theksua më lartë , do të shndërrohen në oferta të parealizueshme;
3. Përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe pa segregime fyese;
4. Përfaqësimin e drejtë të kontrolluar;
5. Marrëveshjen që njëri nga tri postet kryesore të shtetit ( presidenti, kryeministri, ose kryetari i Parlamentit) t'i takojë përfaqësuesit shqiptar;
6. Ligjin e ri për funksionim konsensual të Qeverisë;
7. Decentralizimin e njëmendtë në vend të dekoncentrimit që krijon iluzionin se mjetet buxhetore janë decentralizuar;
8. Ndarjen e re territoriale që merr parasysh aspektin etnik, kulturor, ekonomik, infrastrukturor ;
9. Themelimin e institucioneve në funksion të zhvillimit të vlerave kulturore shqiptare;
10. Respektimin e përpiktë të konceptit sekular të shtetit;
11. Deetnizimin e simboleve të shtetit, të himnit, të stemës dhe të simboleve të tjera shtetërore;
12. Përcaktimin strategjik dhe pa ekuivokë për integrim në NATO dhe BE.
NOA-INA
Â
Â