Tiranë, 7 korrik NOA-UPDATE
 Përfundoi pa asnjë deklaratë takimi me dyer të mbyllura i kryetarit të PS, Edi Rama me 140 kandidatët për deputetë të kësaj partie në rrethe si dhe me krerët e Bashkive në vend që qeverisen nga socialistët. Burime brenda takimit bëjnë të ditur për NOA se kryetari Rama u ka kërkuar 140 kandidatëve të PS të mbledhin informacione në zonat ku janë përfaqësuar në lidhje me dëmin që i kanë sjellë partisë manipulimet e bëra gjatë procesit zgjedhor. Mësohet se këto do t'i shërbejnë PS të faktojë manipulimet për të kontestuar më pas rezultatin përfundimtar të shpallur nga KQZ. Përfaqësuesit e PS-së diskutuan për situatën dhe qëndrimin e mbajtur nga Komisioni Qendror Zgjedhor për qarkun e Beratit dhe qarkun e Fierit. Mësohet se socialistët kanë theksuar se nuk do të njohin rezultatin nëse nuk hiqet dorë nga manipulimi dhe përpjekja për të ndryshuar rezultatin në dëm të Partisë Socialiste. Takimi u zhvillua në ambientet e hotel "Tirana International" dhe pas mbylljes u vendos të mos kishte një deklaratë për mediat. m.i/NOA