Tiranë, 7 korrik NOA - Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS, Gramoz Ruçi ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës ka siguruar çdo shqiptar dhe faktorin ndërkombëtar se PS ka bërë çdo përpjekje ligjore për të mbrojtur zgjedhjet nga delegjitimimi i tyre dhe nga vjedhja.
"8 ditë pasi shqiptarët votuan lirisht, me bindje se do të zgjidhnin një pushtet demokratik e prej tij do të nxirrnin një qeveri të popullit, për fat të keq të gjithë po zhgënjehen nga mos mbyllja e procesit zgjedhor dhe degjenerimi i tij në një skemë të tërë vjedhjeje të votimeve të shqiptarëve.
Prej 8 ditësh Sali Berisha, njeriu që komandon politikisht shumicën e tij të vogël në KQZ, në shkelje të plotë të ligjit dhe në dhunim të të gjithave parimeve kushtetuese, po ju mohon shqiptarëve të drejtën legjitime të llogaritjes së votimeve të tyre dhe transparencës për çdo votë të hedhur në kutitë e votimit" tha Ruçi.
"Krimi kushtetues KQZ që refuzon prej 8 ditësh të numërojë dhe të pasqyrojë rezultatin fitues të votimeve për Partinë Socialiste në Fier është prova më e qartë e gjithë kësaj ashtu siç konfirmon botërisht se martesa Meta-Berisha synon me çdo çmim të vjedhë mandatin e 9 të Partisë Socialiste në Fier" shtoi më tej Ruçi.
Sipas tij, ky standard i ri kriminal i cenimit të votës së shqiptarëve po i bën zgjedhjet e 28 qershorit të papranueshme dhe rezultatin e tyre të pamundur për tu njohur si legjitim.
"Në emër të Partisë Socialiste ne duam ti bëjmë apelin e fundit Sali Berishës të heqë dorë përfundimisht nga cenimi i votës së shqiptarëve, duke nisur nga vota e qytetarëve të Fierit, në të kundërt do të mbajë mbi vete gjithë përgjegjësinë e delegjitimimit të zgjedhjeve, mos njohjes së rezultatit të tyre dhe delegjitimimit të gjithë institucioneve të dala prej tyre.
Ne jemi të vendosur të mbrojmë çdo votë në institucionet kushtetuese por përballë dhunës së Berishës mbi votën jemi gati të mbrojmë çdo votë dhe kudo tjetër" përfundoi Ruçi.
k.k/NOA
Â