Kavajë, 7 korrik NOA - Një turiste nga Tetova, ka gjetur vdekjen nga energjia elektrike në hotelin ku ishte akomoduar në plazhin e Golemit.
Selvina Kacani, 51 vjeç, kishte ardhur në bregdet bashkë me bashkëshortin e saj, Jashar Kacani, për të qëndruar dy javë pushime, por kontakti me rrymën elektrike i ka shkaktuar asaj vdekjen.
Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në plazhin e Golemit, kur 51-vjeçarja pasi ka marrë rreze dielli është ngritur nga çadrat e plazhit dhe ka shkuar në dhomën e hotelit.
Mësohet se ajo ka shkuar na tualet për të bërë një dush, por sapo ka pasur kontaktin e parë me ujin ajo ka pasur kontakt me rrymën elektrike e cila e ka lënë të vdekur në vend.
Bashkëshorti i saj sapo ka diktuar ngjarjen është përpjekur ti vijë në ndihmë gruas duke ulur menjëherë automatin por nuk ka mundur të sjellë dot në jetë 51-vjeçaren.
Ndërkohë që në vendin e ngjarjes mbërritën oficerët e policisë të cilët nisën hetimet për të zbardhur rrethanat.
Policia ka marrë në pyetje pronarin e hotelit, punonjësin si dhe bashkëshortin e viktimës.
k.k/NOA