English

Zgjedhjet, Mediu akuzon PD: Na dëmtuat votat

Tiranë, 7 korrik NOA-Dhjetë ditë pasi shqiptarët vendosën se kujt duhet t'i jepnin votën e tyre, Partia Republikane e cila fitoi nga zgjedhje e 28 qershorit vetëm një mandat politik, kreu i PR, Fatmir Mediu ka akuzuar për këtë aleatin e tij të djathtë e më të ngushtë Partinë Demokratike.

Në një dalje për mediat, Mediu, duke veçuar kreun demokrat Berisha tha se thirrjet publike të drejtuesve të PD-së për të mos votuar Partinë Republikane ishin një gënjeshtër, por dhe mos respektim i marrëveshjes me këtë forcë që cenoi rezultatin e 28 qershorit.

"Me përjashtim të zotit Berisha, ishin të pa precedent dhe të turpshme thirrjet publike të drejtuesve të Partisë Demokratike drejtuar elektoratit për të mos votuar Partinë Republikane, apo thirrjet se vota për PR-në është votë për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën.

Kjo ishte jo vetëm një gënjeshtër e madhe por dhe mosrespektim i marrëveshjes të rregullave dhe normave etike e morale ndërmjet partive të të njëjtit koalicion, e cila kishte përcaktuar qartë në marrëveshje detyrimet e secilës palë.

Ky dëm që u bë PR-së dhe aleatëve të tjerë të koalicionit ishte sa i dëmshëm për këto parti, por edhe për vetë rezultatin e "Aleancës për Ndryshim"- theksoi kreu i PR-së Mediu.

Deklaratave të cilat u referohet Mediu, erdhën në këtë fushatë nga numri dy i Partisë Demokratike Jozefina Topalli, por edhe ish kreu i Partisë Demokratike Tiranë Sokol Olldashi. Por mesa duket Republikanët do ta shfrytëzojnë fort këtë fakt për të kërkuar vendin e tyre në qeverinë e ardhshme të Berishës.

"Partia Republikane i ka dhënë PD-së fitoren e rreth 4 deputetëve në qarqe të ndryshme. PR-ja do të jetë në qeveri sipas kontributit që ka dhënë për deputetët që ka marrë "Aleanca e Ndryshimit". PR-ja, vendos për çdo gjë në mënyrë institucionale, nuk kemi diskutuar asgjë konkrete për këtë çështje. Çdo vendim për pjesëmarrje të PR-së në qeveri do të kaloj nëpërmjet forumeve të PR-së "- theksoi Mediu.

m.i/NOA

KOMENTE