Beograd, 8 korrik, NOA - Deri më tani, të paktën 3 parti politike serbe kanë aplikuar për certifikim për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.
Serbët që marrin pjesë në institucione, kanë vendosur të mos dëgjojnë deklaratat e Beogradit zyrtar për t'i bojkotuar zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.
Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar se zyrtarë të këtij organi kanë deklaruar gabimisht se dita e martë shënon afatin e fundit kur subjektet politike do të duhej të aplikonin për certifikim. Zëdhënësi i KQZ-së, Fehmi Ajvazi, sqaron se subjektet politike, që duan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, mund të aplikojnë deri në 60 ditë para ditës së votimit. "Këto dilema që janë shkaktuar në opinion, nuk lidhen me mbylljen e këtij procesi sot, por normalisht procesi vazhdon dhe subjektet aplikojnë, bëjnë me dije në Zyrën (për Regjistrim të Partive Politike) se do të jenë pjesë e procesit zgjedhor. Mirëpo, definitivisht, çështja e certifikimit mbyllet 60 ditë para zgjedhjeve", tha Ajvazi. Ndërkohë, edhe në zgjedhjet e 15 nëntorit është vënë në dilemë pjesëmarrja e serbëve, për shkak të sinjaleve për bojkotim zgjedhjesh që i ka dhënë Beogradi zyrtar. Deri më tani, sipas KQZ-së, për t'u certifikuar për zgjedhjet lokale kanë aplikuar 3 subjekte politike serbe. Sidoqoftë, ato subjekte që tashmë janë pjesë të institucioneve, thonë se nuk do t'i dëgjojnë thirrjet e Beogradit. "Sot do të dorëzojmë aplikacionin për certifikim. Normalisht që do të marrim pjesë në këto zgjedhje. Zgjedhjet lokale janë të rëndësishme si për shqiptarët, ashtu edhe për serbët, kështu që do të marrim pjesë në zgjedhje", thotë kryetari i Partisë Demokratike Serbe të Kosovës, Sllavisha Petkoviq. Janë politikanët serbë të pjesës veriore të Kosovës ata që i kundërshtojnë me ngulm proceset e zhvilluara nga Prishtina zyrtare. Por, për Sllobodan Petroviqin, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, në interes të serbëve lokalë është pjesëmarrja në proceset politike, që zhvillohen në Kosovë. "Sa i përket Partisë së Pavarur Liberale, qëndrimi i saj tashmë është i ditur, një kohë të gjatë. Ne angazhohemi për interesat e komunitetit tonë. Ne do të marrim pjesë në zgjedhje. Është mirë që numër i madh i serbëve të marrin pjesë në zgjedhje", thotë Petroviq. Presidenti serb, Boris Tadiq, ka thënë se nuk janë krijuar kushte që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Por, Petroviq mendon se pritja për krijimin e kushteve dëmton rëndë komunitetin serb. Ndërkohë, politikanë serbë që jetojnë në enklavat në qendër të Kosovës janë shprehur pro pjesëmarrjes në zgjedhje, ndërsa kanë kërkuar nga Beogradi që për shkak të kësaj pjesëmarrje, të mos ndërmarrë masa represive, siç ka ndodhur më parë.
NOA-INA