Tiranë, 8 korrik NOA-Kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka përforcuar në deklaratat e tij këto ditë arsyet e vendimit të tij për të bashkëpunuar me qeverisjen e djathtë të Sali Berishës.
Në një intervistë për agjensinë e lajmeve BBC, Meta deklaron se vendimi për të bashkëpunuar me PD-në për krijimin e koalicionit qeverisës i shërben vendit, por edhe seriozitetit dhe identitetit të LSI-së, e cila në radhë të parë është në funksion të integrimit evropian të vendit.
Zoti Meta ka përsëritur akuzat në adresë të liderishipit të PS-së për atë që ai e quan përpjekje për asgjësimin korruptiv të LSI-së gjatë këtij proçesi zgjedhor.
Zoti Meta cila është përmbajtja e marrëveshjes me zotin Berisha për t'u bërë pjesë e koalicionit qeverisës?
Nuk kemi bërë asnjë bisedim deri tani përveçse kemi dhënë një përgjigje "Po" në parim për bashkëqeverisje me PD- në si fituese e këtyre zgjedhjeve me qëllim realizimin e një qeverisjeje të qëndrueshme dhe në funksion të reformave të integrimit europian. Në ditët në vijim besoj se do kemi një takim të parë me kryetarin e PD-së dhe natyrisht fokusi kryesor do të jetë në programin e koalicionit qeverisës. Ndërsa përsa i takon funksioneve kjo mendoj që është një çështje sekondare.
Në konventën tuaj ju kërkuat mendimin e saj për pjesëmarrjen tuaj në qeverisje. Ndërkohë pati edhe zëra kundër. Zoti Pëllumb Xhufi tha se do ishte më mirë një mospjesëmarrje në këtë qeveri. Ju vetë si e pritët këtë zë kundër, por dhe disa zëra të tjerë brenda partisë?
Meqenëse ju paskeni patur fatin për ta ndjekur drejpërdrejtë besoj se e keni vënë re se në ç‘mënyrë demokratike u realizua konventa. Ka dy zëra kundër që ne i respektojmë, do donim të kishim një propozim për rrugëzgjidhjen sepse doli qartë që LSI ishte para dy alternativave, ose të bashkëpunonte me PS, e cila ka një përgjegjësi të madhe për cënimin e standarteve duke futur vendin në një proçes krize, ose të bashkëpunonte me koalicionin fitues për të realizuar një qeverisje të qëndrueshme dhe në dobi të integrimit europian të vendit. Pra, edhe ata dy zëra kundër edhe pse unë ju luta aty në Konventë, nuk na dhanë dot as edhe një zgjidhje tjetër dhe nuk na sqaruan një rrugë të tretë përveç këtyre të dyjave. Pa diskutim që kjo është rruga më e drejtë, ku duhet të eci LSI sepse i shërben vendit, por natyrisht besoj që do i shërbej dhe seriozitetit dhe identitetit të LSI-së, e cila në radhë të parë është në funksion të integrimit europian të vendit.
Ju jeni një parti e majtë, mirëpo të majtët e tjerë, e quajnë akt tradhëtie këtë marrëveshje tuajën për të qenë në qeveri bashkë me Sali Berishën...
Shprehje të tilla si tradhëtar janë të denja për një politikan të politikës së re si Gramoz Ruçi. Ka qenë një ndër ekzekutorët kryesorë të skenarit të z. Rama, për asgjësimin korruptiv të LSI-së gjatë këtij proçesi zgjedhor. Tradhëti është që në këto momente të rëndësishme të inskenosh destabilizim të vendit sikurse bën z. Ruçi dhe sikurse u përpoq të bënte dhe ne Fier pas zgjedhjeve. Tradhëti ndaj të majtës është të vazhdosh t'i shërbesh një klike ndërtuesish dhe mafiozësh në PS, sikurse bën Gramoz Ruçi dhe jo të reflektosh për këtë humbje të thellë e cila më shumë sesa numerike është morale dhe politike, pasi një parti e tërë me vlera shumë të mëdha si PS, u bë pjesë e një basti personal të Edi Ramës, që nuk ka asnjë lidhje me vlerat tradicionale të PS. Prandaj ne do të ecim përpara, pa u kushtuar vëmendje folklorizmave të tillë, qoftë kur vijnë nga z. Ruçi e qoftë kur vijnë nga z. Rama, e besojmë që kjo është rruga që ndihmon dhe PS-në, që t'u rikthehet atyre vlerave të demostruara në 18 vjet, por të mohuara gjatë viteve të fundit të një lidershipi pa identitet.
Z. Meta, ka kritikë që thonë edhe pse jemi në kuadrin e spekulimeve që ju mund të kërkoni nga z. Berisha pikërisht disa dikastere, apo ministri ku mundësia e korruptimit është shumë e madhe. Ju jeni në gjendje të sfidoni këta kritikë duke kërkuar ndoshta ministri ku kjo mundësi është shumë më e vogël?
Këta kritikë janë nga ata të cilët janë vënë në shërbim të një projekti korruptiv të z. Rama, për të korruptuar të gjithë shoqërinë shqiptare duke filluar që nga analistët, mediat e kështu me radhë. Ne hymë në këtë qeveri për të shpëtuar vendin nga një krizë. Ne hymë në këtë qeveri për të dhënë mesazhe stabiliteti dhe integrimi dhe padyshim hymë në këtë qeveri për një program transparent, i cili synon luftën kundër korrupsionit dhe pavarësinë e gjyqësorit. Këto nuk janë shqetësime të ndershme të analistëve, përkundrazi këto janë paragjykime qe duan të kompleksojnë Ilir Metën dhe LSI në këtë hap historik që vë në rend të parë interesat kombëtare. Ndaj unë do t'i ftoja të gjithë ta monitorojnë qeverinë e re, koalicionin e ri dhe të na ndihmojnë me kritikat e tyre.
Cili është mendimi juaj, përse në Shqipëri shikohet me kaq vështirësi një lëvizje e tillë politike?
Kjo vjen jo vetëm për prapambetjen që ka një pjesë e politikës shqiptare, por mbi të gjitha ky është një dëshpërim që vjen nga dështimi i një përpjekje për të kontrolluar të gjitha pushtetet në Shqipëri. LSI nuk pranoj të bëhej pjesë e këtij kaosi, destabiliteti, por vendosi të hedhë një hap të rëndësishëm për stabilitetin e vendit, për qeverisjen e tij dhe për të vijuar integrimin europian që është projekti kryesor i LSI-së. Ne na vjen shumë keq për shprehje të tilla të dëshpëruara pasi LSI nuk ka asnjë borxh ndaj PS, e cila u soll në mënyrën më armiqësore për gati 2 vite ndaj LSI, e cila realizoj një projekt mafioz për shkatërrimin e LSI-së në këto zgjedhje. LSI ka pozicionin e saj, ka votat e saj, çdo koalicion LSI-PS ishte i pamundur dhe vetëm sjell krizë. Kjo është zgjidhja që i shërben vendit dhe ne do të ngrihemi mbi interesat e pjesshme.
Keni deklaruar më përpara se ju do jeni kryeministri që do ta fusni Shqipërinë në Europë në 2013. Ky ishte basti juaj i fituar nga pjesëmarrja në qeverinë Berisha apo do bëni sërish kryeministrin për 2013?
Kjo nuk është çështja më e rëndësishme. Natyrisht që unë do të kisha dëshiruar një rezultat shumë më të mirë edhe për LSI, edhe për Ilir Metën, edhe për të majtën në tërësi pavarësisht nga raportet tona me lidershipin aktual të PS. Megjithatë i gjithë lajkmotivi im në jetën politike është integrimi i Shqipërisë në Europë. E rëndësishmë është ky antarësim të realizohet sa më parë. Është apo jo Ilir Meta kryeministër, kjo është një çështje sekondare pavarësisht nga dëshira personale, por Ilir Meta gjithmonë është për integrimin europian të Shqipërisë.
m.i/NOA