English

Operacioni "Diploma", zbulohen dy mjeshtra të falsifikimit të dokumenteve

Tiranë, 8 Korrik NOA - Një vlonjat dhe një tiranas, ishin burimi i vyer i falsifikimit për qindra e qindra shqiptarë nga i gjithë vendi, që mbaronin punë duke dorëzuar dokumente në institucionet që u kërkoheshin, me të dhëna të rreme.

Dyshimet e policisë kishin kohë që ishin ravijëzuar për shkak të sinjaleve të mbërritura në rrugë operative, ndaj sot, u zhvillua operacioni policor i koduar "Diploma".

Ky operacion, u finalizua nga Seksioni Kundër Krimit Ekonomik Financiar në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Kërkimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.

Në përfundim të aksionit, u vendosën nën pranga Roland Koço Papaproko, 56 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tirane dhe Franc (Kujtim) Sulejman Borova, 57 vjeç, lindur dhe banues në Tirane, i dënuar më parë për vepra penale të falsifikimeve. "Në ngarkim të tyre, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë kishte nisur procedimin penal sepse dyshoheshin për konsumim të veprave penale të "falsifikimit të dokumenteve", "falsifikim i dokumenteve shkollore" dhe "falsifikim i vulave stampave ose formularëve", - thanë për agjencinë e lajmeve NOA, burimet policore.

Në sajë të grumbullimit të informacioneve dhe duke përdorur metodat speciale të hetimit u arrit që dy mjeshtrat e falsifikimit të kapen "me presh në duar".

Ata u prangosën pikërisht gjatë kohës kur po prodhonin një vulë me mbishkrimin "Ministria e Mbrojtjes, Dega Mobilizimit" dhe një Dëftesë Pjekurie të shkollës së mesme të përgjithshme "Partizani".

Ndërkohë, pas kryerjes së veprime hetimore dhe proceduriale u mundësua sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të një vule të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, një vulë e vendkalimit kufitar Kakavijë, një vulë e Ministrisë së Mbrojtjes, Dega Mobilizimit, dy vula të institucioneve joqeveritare, një Diplomë e UT, Fakulteti Ekonomik së bashku me listën e notave, tre leje drejtimi të vulosura të paplotësuara që dyshohen të falsifikuara, si dhe një sasi materiali fletë gome dhe vegla të ndryshme që përdoren për prodhimin e vulave. e.l/NOA

KOMENTE