Tiranë, 8 korrik, NOA - Nëse nuk shpallet dot brenda muajit korrik, është e sigurt që në fillim të gushtit rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 28 qershorit do të mund të shpallet zyrtarisht.
Një fakt të tillë e ka deklaruar vetë kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, sipas të cilit një vonesë të tillë në shpalljen e rezultatet po e shtrëngojnë problematikat që dolën pas zgjedhjeve, si edhe ngërçi në disa zona apo procesi i pritshëm i animimit.
"Isha optimist për këtë proces se do të përfundonte më shpejt se zgjedhjet e tjera, por mund të them se rezultatet përfundimtare mund t'i kemi ose për dhjetë ditë, që ky në fakt është rasti më i mirë, ose për 25 ditë në rastin më të keq", u shpreh kreu i KQZ-së. Sipas tij, vonesat pritet të shkaktohen nga ankimimet e partive politike për rezultatet në disa zona, dhe mjafton koha për marrjen në shqyrtim të ankesave, që të sjellë daljen e rezultatit gjatë muajit gusht.
"Megjithatë, kjo vonesë nuk është aq e madhe sa në proceset parardhëse të zhvilluara në vend", tha më pas ai, duke kujtuar se në zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut 2005, rezultati përfundimtar nga KQZ u shpall vetëm më 1 shtator.
n.e/NOA