Vrojtimet e ndryshme për gjendjen e sektorit të biznesit, në përgjithësi konfirmojnë rritjen e vështirësive financiare në situatën aktuale dhe mungesën e optimizmit për zhvillimet afatshkurtra. Vështirësitë e sipërmarrjeve të biznesit, do të ndikojnë negativisht në aftësinë e tyre për të ofruar punë në mënyrë të qëndrueshme, duke shkaktuar rënie të të ardhurave të individëve dhe të familjeve
Nga Ardian Fullani
Guvernator i Bankës së Shqipërisë
Viti 2008, do të kujtohet gjatë si viti kur ekonomia botërore provoi krizën më të madhe financiare të kohëve moderne, e cila kulmoi në pjesën e dytë të vitit 2008, me falimentimin e disa prej institucioneve financiare me shtrirje globale. Për pasojë, që nga ajo kohë e në vazhdim vihet re një luhatshmëri e lartë e tregjeve financiare, largim i investitorëve, tharje e likuiditetit dhe rënie e ndjeshme e ndërmjetësimit financiar. Besimi i investitorëve dhe i publikut tek bankat dhe institucionet financiare u trondit në shkallë botërore, gjë që solli dhe një rënie të përgjithshme të çmimeve të titujve të kapitalit të bankave, duke ngushtuar së tepërmi mundësitë e tyre të rifinancimit.
Madhësia e krizës financiare, çoi në shtrirjen e saj në sektorin real të ekonomisë botërore. Mungesa e fondeve dhe shtrenjtimi i financimeve, ndikuan në rënien e investimeve dhe të tregtisë, duke goditur kërkesën e brendshme në nivel botëror. Norma e papunësisë shënoi rritje në të gjitha vendet e zhvilluara, në kushtet kur sipërmarrjet e biznesit u detyruan të shkurtojnë kostot e prodhimit për t'iu përgjigjur rënies së kërkesës. Shumica e ekonomive të zhvilluara hynë në një fazë rënieje ekonomike në gjysmën e dytë të vitit 2008. Ngadalësimi i aktivitetit të ekonomisë botërore në kërkesën për lëndë të para të prodhimit dhe për produktet ushqimore, solli rënien e çmimeve për këto produkte.
Thellimi dhe zgjerimi i krizës financiare në gjashtëmujorin e dytë të vitit, ktheu në domosdoshmëri harmonizimin e veprimeve në nivel global, si edhe fuqizimin e rolit të institucioneve financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Në vendin tonë, ndikimi i krizës ndërkombëtare u rrit për shkak të transformimit të saj në një krizë të ekonomisë reale me shtrirje globale. Fillimisht, kriza financiare ndërkombëtare nuk pati një ndikim të drejtpërdrejtë të rëndësishëm mbi sistemin tonë financiar. Arsyet lidhen me mungesën e ekspozimit të sektorit bankar dhe sistemit financiar në përgjithësi, në produkte dhe në institucione financiare të cilat ishin në qendër të krizës. Një shkak tjetër është dhe ekspozimi i ulët ndaj huamarrjes në tregjet e huaja. Megjithatë, në tremujorin e fundit të vitit 2008, për shkak të efektit psikologjik që shkaktoi ashpërsimi i krizës në tregjet ndërkombëtare, publiku vendas reagoi duke tërhequr një pjesë të depozitave të sektorit bankar. Për pasojë, kushtet e likuiditetit u shtrënguan si dhe u evidentua një ngadalësim i kreditimit nga ana e sektorit bankar. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë mori masa të menjëhershme për të normalizuar situatën e krijuar dhe për të rikthyer besimin e publikut tek bankat. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë ka injektuar likuiditet në treg në forma të ndryshme, për të mundësuar një akses sa më të lehtë nga ana e bankave. Këto veprime dhanë efekt pozitiv drejt uljes së nivelit dhe luhatshmërisë së normave të interesit ndërbankar në fund të vitit.
Shtrirja në kohë e krizës, ndikoi në kufizimin e burimeve të financimit dhe në rritjen e çmimit të tij, në tkurrjen e flukseve hyrëse në valutë, në rritjen e presioneve zhvlerësuese mbi lekun dhe në përkeqësimin e pritshmërive të agjentëve ekonomikë për shëndetin financiar në të ardhmen.
Ky mjedis i ndryshuar financiar, ofron disa sfida të rëndësishme për qëndrueshmërinë e sistemit financiar, dhe posaçërisht të sektorit bankar si segment mbizotërues i tij. Këto sfida burojnë prej marrëdhënieve të ngushta të veprimtarisë financiare me zhvillimet ekonomike të brendshme dhe të jashtme dhe ndërveprimin e tyre me gjendjen e brendshme të vetë sistemit financiar.
Më konkretisht, Banka e Shqipërisë vlerëson që:
Është rritur ndjeshmëria e sistemit financiar ndaj zhvillimeve të brendshme makroekonomike, ku rreziqet kryesore lidhen me:
Ngadalësimin e aktivitetit ekonomik të vendit. Zhvillimet e tremujorit të fundit të vitit 2008 si edhe të muajve të parë të vitit 2009, tregojnë që rritja ekonomike për vitin 2009, ndonëse pritet të jetë pozitive, do të jetë e ulët. Arsyet e këtij ngadalësimi të rritjes ekonomike lidhen me rënien e kërkesës së brendshme, për shkak të rënies së të ardhurave të agjentëve të brendshëm ekonomikë që ndërveprojnë me tregjet ndërkombëtare dhe me uljen e ndjeshme të financimit nga ana e sektorit bankar në vend. Për këtë arsye, mundësitë për zgjerim të veprimtarisë së sistemit financiar do të jenë më të kufizuara dhe rezultati i tij financiar do të jetë më i ulët gjatë vitit 2009;
Vështirësitë financiare të sektorit real të ekonomisë. Pritjet për ngadalësimin e ekonomisë, po vështirësojnë burimet financiare për sipërmarrjet e biznesit dhe për familjet. Burimet e brendshme të zgjerimit të veprimtarisë, në formën e të ardhurave të siguruara nga veprimtaria kryesore, do të ndikohen negativisht prej rënies së investimeve dhe të shitjeve. Burimet e jashtme të financimit, në formën e huamarrjes prej sektorit bankar, janë ende në fazë rënëse. Vrojtimet e ndryshme për gjendjen e sektorit të biznesit, në përgjithësi konfirmojnë rritjen e vështirësive financiare në situatën aktuale dhe mungesën e optimizmit për zhvillimet afatshkurtra. Vështirësitë e sipërmarrjeve të biznesit, do të ndikojnë negativisht në aftësinë e tyre për të ofruar punë në mënyrë të qëndrueshme, duke shkaktuar rënie të të ardhurave të individëve dhe të familjeve. Përsëri, sistemi financiar dhe veçanërisht sektori bankar, do t'i ndjejë këto zhvillime kryesisht në formën e cënimit të cilësisë së portofolit të kredisë dhe të ngadalësimit të ritmit të rritjes së depozitave të publikut;
Ndërlikime të mundshme fiskale. Rritja e deficitit buxhetor në vitin 2008 në krahasim me një vit me parë, u realizua në kushtet e një situate më të favorshme të financimit të deficitit, si në tregun e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Ngadalësimi i pritshëm i rritjes ekonomike dhe vështirësitë që po ndesh sektori real i ekonomisë, vendosin nën presion të ardhurat publike, duke rritur vështirësitë për realizimin e tyre sipas planit të buxhetit për vitin 2009.
Nga ana tjetër, situata më e vështirë e likuiditetit në tregun e brendshëm financiar si edhe në tregun e huaj, po shoqërohet me rritjen e kostos së financimit të deficitit buxhetor, duke sjellë rritjen e ngarkesës fiskale në një periudhë afatmesme. Nga ana tjetër, realizimi i shpenzimeve publike duhet të përshtatet me nivelin e realizimit faktik të të ardhurave. Banka e Shqipërisë vlerëson se  ruajtja e objektivit të përcaktuar në fillim të vitit për deficitin buxhetor, do t'i shërbente më mirë realizimit të financimit të tij me një kosto më të ulët dhe çlirimit të fondeve për përdorim në tregun e brendshëm dhe për sektorin privat;
Nivelin e lartë të deficitit të llogarisë korente të bilancit të pagesave. Për shkak të paqëndrueshmërisë së eksporteve dhe rënies së dërgesave nga emigrantët, deficiti i llogarisë korente në bilancin tregtar shfaqet i përkeqësuar.
Nëse kjo prirje forcohet, ajo mund të ndikojë në mënyrë të qëndrueshme strukturën e flukseve të valutës në tregun e brendshëm, duke ndikuar mbi kërkesën dhe ofertën për valutë dhe duke sjellë rritjen e luhatshmërisë mbi kursin e këmbimit të monedhës kombëtare.
Lëvizja e lirë e kursit të këmbimit, ofron një instrument automatik të korrigjimit të këtyre disekuilibrave në kërkesën dhe ofertën për valutë në tregun e brendshëm. Në këtë kuadër, të gjithë agjentët ekonomikë, publikë dhe privatë, duhet të vlerësojnë ndjeshmërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre ndaj lëvizjeve të mundshme të pafavorshme të kursit të këmbimit, dhe të ndërmarrin veprimet mbrojtëse të nevojshme.
Nga ana e tij, sektori bankar është i ndjeshëm ndaj lëvizjeve të kursit të këmbimit, veçanërisht në drejtim të ndikimit që përcillet për cilësinë e portofolit të kredisë në valutë. Për këtë arsye, zhvillimet e muajve të parë të vitit 2009 në kursin e këmbimit, duhet të nxisin të gjitha veprimet e nevojshme të sektorit bankar, për zbutjen e efekteve të padëshiruara në gjendjen financiare.
Është zbutur ndjeshmëria e sistemit financiar ndaj zhvillimeve të tregjeve financiare ndërkombëtare. Në këtë kuadër, vlerësohet që:
Politikat publike për mbrojtjen e grupeve bankare evropiane, kanë rritur sigurinë për qëndrueshmërinë e tyre ligjore dhe financiare dhe për mundësinë e ndihmës që mund të japin për investimet e tyre në vendin tonë. Paketat e ndihmës financiare, të miratuara në Austri, Greqi, Itali, Francë dhe vende të tjera, si edhe injektimi i fuqishëm i likuiditetit nga ana e Bankës Qendrore Evropiane, kanë zbutur vështirësitë e bankave të mëdha evropiane për të siguruar likuiditet dhe për të rifinancuar detyrimet e tyre në treg. Ecuria pozitive e aksioneve të këtyre bankave në bursat e tregtimit, në përgjithësi gjatë muajve të parë të vitit 2009, e tregon këtë përmirësim të situatës.
Situata ekonomike dhe financiare në vendet e Evropës Juglindore dhe Qendrore paraqitet e përmirësuar, si rezultat i  ndihmave financiare të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Komisionit Evropian, duke ndikuar në zbutjen e pritshmërive negative. Veprimet që zbusin pasigurinë e investitorëve për zhvillimet ekonomike në këto vende, përmirësojnë perceptimin edhe për vendin tonë, në kushtet e ngjashmërisë relative që ekziston, të paktën me vendet e rajonit;
Janë shtuar shenjat për një përmirësim të situatës ekonomike globale. Nga ekonomitë e vendeve të zhvilluara dhe ato më të mëdhatë e vendeve në zhvillim, vijnë disa sinjale relativisht më optimiste. Perceptimi për një përmirësim të klimës ekonomike botërore, do të ndikonte pozitivisht tek agjentët ekonomikë në tregun e brendshëm, jo vetëm ekonomikisht por edhe nëpërmjet krijimit të pritjeve më optimiste, duke mbështetur një rikthim të sjelljes normale në marrëdhëniet e tyre me sektorin bankar.
Është rritur ndjeshmëria e sistemit financiar, ndaj ecurisë së disa treguesve të veprimtarisë bankare. Në këtë kuadër, vlerësohet që:
Nevojitet një administrim i kujdesshëm i kërkesave për likuiditet të sektorit bankar. Konkretisht, për të përballuar rënien e depozitave në tremujorin e fundit të vitit 2008, bankat tregtare pakësuan portofolin e mjeteve të tyre likuide, rritën huamarrjet nga grupet bankare zotëruese dhe atë nga Banka e Shqipërisë. Pesha e depozitave të publikut në financimin e veprimtarisë bankare, ndonëse mbetet mbizotëruese dhe në nivele të larta, pësoi rënie. Ky proces, duhet të monitorohet me kujdes, për të parë se sa i qëndrueshëm do të jetë në kohë si edhe për të shmangur zhvendosjet e ndjeshme drejt huamarrjes me shumicë, veçanërisht asaj në valutë. Në kushtet kur, burimet e financimit në valutë varen nga tregu i huaj, sektori bankar është gjithsesi më i mbrojtur për faktin që linjat e financimit në valutë merren nga grupet e huaja bankare zotëruese. Huamarrja e sektorit bankar nga Banka e Shqipërisë, ofron një burim të qëndrueshëm financimi në një situatë të veçantë, dhe ndihmon në kuadër të përmirësimit të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare. Ky zhvillim, është veçanërisht i rëndësishëm për bankat që nuk janë pjesë e grupeve të huaja bankare. Njëkohësisht, ai lejon bankat tregtare të hartojnë politika të cilat mbështesin më shumë veprimtarinë financiare në monedhën kombëtare. Në këtë këndvështrim, merr rëndësi edhe administrimi i portofolit të letrave me vlerë të cilat shërbejnë si kolateral për huamarrjet me shumicë. Për transaksione të tilla në lekë, bankat tregtare mbështeten nga zotërimet e letrave me vlerë të borxhit të qeverisë, si bono thesari dhe obligacione. Bankat duhet të krijojnë dhe të administrojnë një portofol të posaçëm të këtyre letrave me vlerë, për t'i përdorur në rastin e nevojave të papritura për likuiditet. Ndërmarrja e veprimeve për zhvillimin e mëtejshëm të tregut sekondar të letrave me vlerë, do të ishte gjithashtu një faktor mbështetës në këtë drejtim.
Në përgjithësi, për t'u siguruar që bankat do të ndjekin politika më konservatore në drejtim të administrimit të rrezikut të likuiditetit, Banka e Shqipërisë po përgatit një rregullore të posaçme, e cila do t'iu kërkojë bankave të përmirësojnë kapacitetet e tyre në drejtim të parashikimit të nevojave për likuiditet, si edhe do të vendosë raporte më të drejta dhe më të ngushta midis burimeve të financimit dhe investimeve të bankave, në drejtim të llojit të valutës, ndryshimit të afatit të maturimit, krijimit të portofoleve të posaçme të kolateraleve etj.;
Cilësia e portofolit të kredisë, ka hyrë në një prirje rënëse. Vështirësitë e sektorit real të ekonomisë, ngadalësimi i rritjes ekonomike dhe vetë tkurrja e fortë e kreditimit për shkak të situatës së paqëndrueshme të likuiditetit në muajt e fundit, ka sjellë rritjen e vëllimit të kredive me probleme, pavarësisht nga lloji i valutës, mënyra ose sektori i përdorimit. Rritja e kredive me probleme, ka nxitur një proces të shtrëngimit të procedurave në kredidhënie, duke sjellë ulje të vëllimit të kreditimit dhe shkurtim të afatit të kredidhënies. Gjithashtu, ajo është shoqëruar me rritjen e fondeve rezervë të bankave për të përballuar humbjet e mundshme nga kreditë, gjë që ka ndikuar në rënien e rezultatit financiar të sektorit bankar. Sektori bankar duhet ta përballojë këtë situatë, duke synuar të mbajë sa më të qëndrueshme veprimtarinë e tij të ndërmjetësimit financiar, një funksion mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë dhe gjendjen e vetë sektorit.
Për këtë arsye, është koha që sektori bankar t'i japë përparësi kreditimit në monedhën kombëtare kundrejt asaj në valutë, duke shfrytëzuar mundësitë më të mëdha që ofrojnë depozitat e publikut dhe huamarrja nga Banka e Shqipërisë. Për këtë, sektori bankar duhet të ndjekë politika më të përshtatshme të përcaktimit të çmimit të kredisë, për të nxitur rritjen e kërkesës për kredi në monedhën vendase. Gjithashtu, duhen gjetur forma të cilat mbështesin rritjen e depozitave, dhe që përfshijnë rritjen e fleksibilitetit të përdorimit të tyre nga publiku, aksesin më të shpejtë nëpërmjet internetit ose elementeve të tjera të komunikimit modern etj..
Sektori bankar është i ndjeshëm ndaj sjelljes së kursit të këmbimit, veçanërisht për ndikimin që kjo përcjell në cilësinë e portofolit të kredisë. Kredia në valutë mbizotëron në totalin e portofolit të kredisë së sektorit bankar. Shkaqet e rritjes së saj në vite, lidhen me strukturën e bilancit të sektorit bankar, normat më të ulëta të interesit në krahasim me kredinë në lekë, si edhe perceptimit se qëndrueshmëria e shkuar e kursit të këmbimit të lekut do të vazhdonte edhe në të ardhmen. Është e kuptueshme që nënçmimi i lekut në vlera të mëdha dhe për një kohë të shkurtër, për ata kredimarrës që nuk kanë të ardhura në valutë, rrit vlerën në lekë të kësteve të kredisë që paguhen në valutë, mund të shoqërohet me vonesa në shlyerjen e kredisë dhe shkakton kthimin e saj në kredi me probleme. Nga ky këndvështrim, si publiku ashtu edhe bankat, duhet të tregohen më të kujdesshëm për një administrim më të mirë të rrezikut që vjen nga luhatshmëria e kursit të këmbimit.
Rezultati financiar i sektorit bankar, edhe gjatë vitit 2009, do të vazhdojë rënien që nisi në vitin 2008. Në fakt, kjo është pasojë e rënies së të ardhurave të veprimtarisë, për shkak të rënies së vëllimit të veprimtarive me normë fitimi të lartë dhe rritjes së kostove të veprimtarisë, veçanërisht prej rritjes së fondeve rezervë për të përballuar humbjet e mundshme nga kreditë. Rënia e rezultatit financiar neto, do të thotë që sektori bankar do të ketë më pak burime të brendshme për të mbështetur veprimtarinë dhe për të rritur kapitalin. Në rastin e bankave që mund të provojnë humbje financiare, kjo do të përkthehej në një pakësim të fondeve të veta. Ndonëse rënia e rezultatit financiar nuk pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në vlerat e kapitalit, bankat duhet të monitorojnë me vëmendje treguesit e kapitalizimit të veprimtarisë, dhe të rrisin kapitalin në rast nevoje. Për vitin 2009, kapitalizimi është rritur nëpërmjet mosshpërndarjes së fitimit dhe prurjeve kapitale nga bankat-mëmë.
Si konkluzion, theksojmë që përpjekjet e autoriteteve publike duhet të synojnë të ruajnë qëndrueshmërinë e treguesve makroekonomikë dhe financiarë. Në kuadër të politikës fiskale, ruajtja e kufirit të deficitit buxhetor, i shërben uljes së kostos së financimit, çlirimit të hapësirave financuese për sektorin privat dhe zbutjes së presioneve mbi deficitin e llogarisë korente. Njëkohësisht, ky veprim rrit besueshmërinë e politikës fiskale tek investitorët ndërkombëtarë, duke siguruar stabilitet të mundësive për financim në të ardhmen. Kujdesi për mbajtjen nën kontroll të treguesve makrofiskalë automatikisht përkthehet në stabilitet dhe kredibilitet të vendit ndaj tregjeve financiare ndërkombëtare. Ai përbën kushtin themelor për një rritje të qëndrueshme afatgjatë të vendit.Â
Në kuadër të politikës monetare, ne do t'i shërbejmë ruajtjes së pritjeve të ulëta inflacioniste dhe do të administrojmë situatën e likuiditetit në tregun ndërbankar për të shmangur luhatjet e normave të interesit.
Si autoritet rregullativ dhe mbikëqyrës i sektorit bankar, do t'iu kërkojmë bankave të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur treguesit e mirë të kapitalizimit dhe të likuiditetit të veprimtarisë. Duke treguar kujdesin e nevojshëm për cilësinë e huamarrjes dhe qëndrueshmërinë e burimeve të financimit, sektori bankar do të nxitet të gjejë mënyra për të rritur financimin e ekonomisë në monedhën kombëtare.
Mbështetur në treguesit financiarë të sektorit bankar, si edhe në madhësinë e luhatshmërisë së tyre sipas analizave stress-test, sektori bankar mbetet i qëndrueshëm dhe rezistenca e tij ndaj rreziqeve të përmendura më sipër vlerësohet e lartë.
Të dhënat e fundit flasin për një rikthim të besimit të publikut, i pasqyruar në rritjen e depozitave në sistemin bankar. Me rritje pasqyrohet edhe kreditimi i ekonomisë ndërkohë që edhe struktura lekë valutë në bilancet e bankave, ka njohur përmirësim.Â
Goditja që pësoi sistemi në vjeshtën e vitit 2008 mund të konsiderohet e kaluar tashmë.