English

Një zgjedhje si e Ilir Metës

Akuzat ndaj Metës për tradhti e prerje në besë tingëllojnë folklorike. Ai nuk bëri gjë tjetër veçse i qëndroi besnik pragmatizmit të tij. Po të ishte vonuar, ndoshta të njëjtën gjë mund ta kishte bërë vetë Rama. Ata nuk ndryshojnë shumë në këtë pikë

Nga Armand Shkullaku

Emri i Ilir Metës nuk është i panjohur për qytetarët e Kosovës, përkundrazi. Por, këto ditë ai po përmendet shumë, çdo ditë, në çdo edicion lajmesh, ne emisione televizive, në analiza dhe shkrime në krejt mediat kosovare. Të shumtë janë ata që pyesin se kush është ky socialist, apo politikan i majtë, që bëri koalicion me Sali Berishën? Të shumtë janë ata që tentojnë të japin përgjigje. Disa e konsiderojnë politikan të përgjegjshëm, disa "kalë troje" brenda së majtës. Për një pjesë të madhe ka bërë mirë që u bashkua me Berishën, të tjerët ngrenë shumë dyshime. Dilemat rreth vendimit të ish kryeministrit socialist të Shqipërisë, duket se kanë lënë pezull edhe qëndrimin e kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçin. I afërt me të majtën shqiptare, Thaçi shpreh më së miri hezitimin për t'i dhënë të drejtë Ramës, apo Metës, në gjithë këtë që ndodhi. Në fakt, nuk është e lehtë ta përcaktosh nga anon e drejta, pa marrë parasysh se si kanë rrjedhur ngjarjet deri këtu, çfarë përfaqëson Ilir Meta dhe pse e pati ai të pamundur një aleancë me Edi Ramën. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim është një politikan pragmatik. Karriera e tij është ngritur kryesisht mbi pragmatizmin dhe jo mbi kodet në bazë të të cilave e akuzojnë sot pa lidhje. Ndonëse shumë i ri, ai arriti ta krijojë një pol brenda PS-së në vitet e vështira të opozitës, duke mbledhur rreth vetes gjithë elementët anti-Nano në parti. E bëri këtë, herë duke ngritur zërin, herë duke flirtuar me kundërshtarët politikë, por asnjëherë duke qëndruar pasiv. Pranoi të bashkëpunojë me Fatos Nanon kur ky u kthye fitimtar pas burgut në parti dhe në Qeveri, por gjithnjë ruajti një distancë mosbesimi. Duke patur pragmatizmin si "yllin polar" të tij, Ilir Meta nuk e pati të vështirë që ta linte pas aleancën me Pandeli Majkon, i mundur nga Nano në tetorin e vitit 1999, duke u shpërblyer me postin e kryeministrit të vendit. Pikërisht në krye të ekzekutivit u dallua hapur karakteri i tij politik. Me qëllimin e vetëm mbajtjen dhe zgjatjen e pushtetit, Ilir Meta i afroi të gjithë rreth vetes, aleatë dhe kundërshtarë brenda partisë. Afroi edhe njerëz teknikë që nuk kishin lidhje me PS-në, apo më shumë akoma, që vinin nga e djathta. Ai shënoi i pari periudhën e çorientimit të mediave. Qeveria e tij ofroi ndihma financiare, në rrugë ligjore ose jo, për shtypin majtas e djathtas. Lulëzuan dhjetëra gazeta dhe u hapën dhjetëra televizione në një terren të mbarsur me para publike. Biznesmenët gjithashtu i harruan preferencat partiake, të joshur nga një kryeministër "përtej të majtës dhe së djathtës". Zërat e dobët kritikë flisnin për privatizime apo tenderë me preferenca personale dhe joprofesionale. Dhe të gjitha këtyre iu shtua edhe fenomeni i opozitës së opozitës, të cilën Meta e sponsorizoi fort për ta eliminuar çdo rrezik nga Partia Demokratike e Sali Berishës. Ky është një nga kapitujt më ilustrativë të pragmatizmit të Ilir Metës, që duke e kaluar masën, shpejt iu kthye në të kundërt të tij dhe e rrëzoi nga pushteti. Por, në të gjithë këtë aventurë qeverisëse, Ilir Meta ka patur në krah një njeri, ose më saktë një ideolog, që hartoi platformën mbi të cilën ai eci. Ky është pragmatisti tjetër i madh, Edi Rama. Ata ishin bashkë në ndarjen e pushtetit, në marrëdhëniet me mediat, në seleksionimin e bizneseve, në tentativën për ta shmangur Nanon, por vetëm deri në ditën kur Meta ishte i fortë. Aleanca e tyre nuk ishte ngritur mbi parime, por mbi interesa. Edi Rama, ky njeri që sot flet për tradhti, për kodin e nderit dhe të besës, për zemrat që rrahin e sytë që vajtojnë, simbolizon vetë politikanin pragmatist pa asnjë lidhje me atë idealist. Atëbotë ia ktheu i pari krahët Ilir Metës. Ndonëse në mbrëmje kishte qenë në shtëpinë e Metës, të nesërmen në mëngjes Rama fluturoi drejt Athinës me një tufë lule në dorë për Fatos Nanon që gjendej në spital, e që shumë shpejt do të rimëkëmbej për t'i marrë në duar frenat e partisë dhe të Qeverisë. Historia e përbashkët ka bërë që Ilir Meta dhe Edi Rama ta njohin mirë njëri- tjetrin. Pragmatizmi që i dallon mbi të tjerët ua ka shtuar dozën e mosbesimit reciprok deri në atë shkallë sa nuk kishin lënë asnjë shteg të hapur për bashkëpunim. Provat janë jo vetëm nga e shkuara, por edhe nga zgjedhjet e 2007'ës dhe Kodi Zgjedhor. Më shumë se sa Berishës, ata iu ruajtën njëri-tjetrit. Prandaj, akuzat ndaj Metës për tradhti e prerje në besë tingëllojnë folklorike. Ai nuk bëri gjë tjetër veçse i qëndroi besnik pragmatizmit të tij, si fushën ku pretendon se luan më mirë. Po të ishte vonuar, ndoshta të njëjtën gjë mund ta kishte bërë vetë Rama. Ata nuk ndryshojnë shumë në këtë pikë. Aleanca e re e Ilir Metës, më shumë se sa një afrim me Sali Berishën, ishte pasojë e mosbesimit ndaj Edi Ramës. Prandaj, është e vështirë në këtë rast të përcaktosh se kush ka të drejtë, kush është i moralshëm, e kush tradhtar. Në përplasjen e madhe elektorale, kjo ishte një betejë mes dy liderëve pragmatikë brenda së majtës, pa ngjyrime ideologjike dhe parime politike. Fitoi Ilir Meta, i cili i shkoi deri në fund rrugës së tij, asaj që e njeh më mirë. Humbi Edi Rama, që këtë radhë tentoi ta ndryshojë strategjinë për ta fituar gjithë pushtetin për vete. Të flasësh për burrëri, nder, moral, në këtë rast ka shumë pak kuptim. Aleanca e Ilir Metës me Sali Berishën ishte një zgjedhje e detyruar dhe pragmatike. A fiton, apo humbë, Ilir Meta nga ky vendim, është diçka për të cilën e gjykon elektorati i tij dhe jo Edi Rama. Një gjë është e sigurt: Ilir Meta ka një sprovë të vështirë përpara - qeverisjen bashkë me Sali Berishën. Ai e ka provuar se çfarë ndodh kur abuzon me të qenit pragmatik.

"Express", Prishtinë

KOMENTE