T'i falënderoni prindërit tuaj, sepse ata në çdo moment kanë kaluar çaste suportimi për ju, ndoshta dhe pa ju thënë. Atëherë kur ju keni qenë të shqetësuar dhe prindërit tuaj kanë qenë të shqetësuar, kur ju keni pasur ndonjë problem, natyrisht që edhe prindi e ka pasur atë problem
Nga Bamir Topi*
Kur m'u kërkua dhe mua që të them dy fjalë përshëndetëse në këtë ceremoni, në mënyrë të natyrshme emocionet u përzien dhe njeriu në këto momente e ka të vështirë që të ndajë pozicionin nga institucioni. Ju siguroj që flas se po flas në pozicionin e prindit, i cili ka pasur në mënyrë të vazhdueshme emocionet dhe shqetësimet që ka çdo prind për fëmijët e tij. Profesor Luarasi në fjalën e tij, mjaft emocionuese dhe shumë profesionale, ju tha se nuk keni gabuar. Në atë moment m'u kujtua një ndër librat që e kam pasur shumë të dashur në kohën e gjimnazit, libri "Bankieri". Duke folur për rregullat për jetën në kapitalizëm, autori shkruan: "Në kapitalizëm njeriu mund të vuajë për dy gjëra: momenti i parë është për zgjedhjet konkrete kuptohet në kompeticionin që ekziston në kapitalizëm dhe e dyta është mungesa e parashikimit". Mua më vjen mirë në këtë të dytën ne nuk kemi gabuar profesor. Kemi parashikuar shumë mirë dhe jam i bindur që, sikurse unë dhe të gjithë prindërit e tjerë dhe fëmijët tanë që kanë studiuar në këtë universitet, është besoj dhe një ndër treguesit e rëndësishëm të lindjes dhe të rritjes së institucioneve të reja në Shqipërinë tonë demokratike, të rritjes së kualitetit të profesoratit, të rritjes së kualitetit të studentëve dhe jam i bindur që ky është një previzion mjaft i sigurt që e ardhmja e Shqipërisë, e institucioneve të saj nëpërmjet këtyre parakushteve do të jetë patjetër në kualitetin e institucioneve, ku ne, të gjithë së bashku kemi aspiratën të integrohemi. Ne, padyshim falenderojmë sot të gjithë stafin pedagogjik. Unë jam i bindur që emocionet në këto momente janë për të gjithë. Sot, studentët ndoshta kanë emocionet që për moshën e tyre do i shoqërojnë gjithë jetën. Stafi pedagogjik ka emocionet dhe kënaqësinë që po i dhuron jetës së institucioneve në Shqipëri një brez të cilin po e kuron prej katër vitesh. Prindërit kanë emocione të tjera. Prindërit kanë emocionet që fëmijët e tyre sot dalin në jetë dhe patjetër që do të jenë të pavarur në rrugën e vështirë të jetës, por të përgatitur me një vizion, që u jep atyre mundësinë që të jenë jo vetëm të barabartë, por të jenë prioritar midis të barabartëve. Kjo na jep kënaqësi dhe siguri. Unë do u drejtohesha studentëve, të cilët ju me të drejtë i quajtët kolegë. Dhe të vijë ky emërtim nga një njeri me një eksperiencë të gjatë në fushën e jurisprudencës, do të thotë që në këtë marrëdhënie ka një tharm mjaft të fortë qytetar. Për këtë arsye unë i drejtohem studentëve, që marrin sot diplomën. Ju keni mundësinë që sot të festoni me njëri-tjetrin, të përgëzoni njëri-tjetrin dhe ta shprehni hapur këtë emocion. Sot keni mundësinë të falënderoni pedagogët, por kur të shkoni në mbrëmje në shtëpi, në një moment shumë konfidencial ju duhet të falënderoni prindërit tuaj. T'i falënderoni prindërit tuaj, sepse së pari me shumë dashuri arritën që t'ju sjellin deri këtu. Falënderoni prindërit tuaj, sepse ditën me shumë zgjuarsi t'ju orientojnë siç duhet. T'i falënderoni prindërit pa masë, sepse në këtë rrugë nuk është e lehtë të suportosh në të gjitha pikëpamjet ecurinë e punës suaj. T'i falënderoni prindërit tuaj, sepse ata në çdo moment kanë kaluar çaste suportimi për ju, ndoshta dhe pa ju thënë. Atëherë kur ju keni qenë të shqetësuar dhe prindërit tuaj kanë qenë të shqetësuar, kur ju keni pasur ndonjë problem, natyrisht që edhe prindi e ka pasur atë problem. Por këtë do e bëni në momente familjare dhe konfidenciale dhe jam i bindur që ju do të dini t'ua shpërbleni familjeve tuaja, prindërve tuaj, do të dini të respektoni në jetën tuaj profesionale pedagogët tuaj. Sot ka mundësi të mëdha që studentët shqiptarë të shkollohen në universitete publike dhe private, mjaft studentë janë shkolluar dhe vazhdojnë të shkollohen në universitetet më të mira të botës. Sot, sikurse e tha dhe Profesori, ajo dukuri që shfaqet më shumë është dëshira për t'u arsimuar, dëshira për të marrë një profesion, pra, masiviteti dhe jam i bindur që në këtë masivitet patjetër që do të spikasin kualitetet. Kualiteti është ai që do u japi mundësinë studentëve që studiojnë në këto universitete që të jenë të ekuivalentuar me homologët e tyre. Ju keni zgjedhur një profesion natyrisht shumë të bukur, por jam i bindur dhe shumë të vështirë për të cilin Shqipëria, institucionet e saj dhe shoqëria shqiptare kanë shumë nevojë. Unë jam i bindur që sot, me diplomimin tuaj, Shqipëria ka më shumë intelektualë, Shqipëria ka më shumë profesionistë, Shqipëria ka më shumë kualitet dhe jam i bindur që Shqipëria ka më shumë shpresë që arritja e standardeve të bëhet në një periudhë sa më të shkurtër që ne të jemi të denjë që të integrohemi në familjen evropiane. Ju keni marrë mësime nga Aristoteli, keni marrë mësime nga Xhon Loku, keni marrë mësime nga Monteskie dhe padyshim ju keni pasur shansin që të merrni dhe të referoni njerëz të shkencës bashkëkohore, Gjykatës së Strasburgut, Gjykatës së Lartë Amerikane dhe jam i bindur që profesorët tuaj këtë e kanë bërë me shumë koherencë dhe me shumë profesionalizëm. Jam i bindur që kurrikula universitare që ju keni studiuar patjetër do ju bëjë ju të gatshëm që institucionet e Shqipërisë t'ju bëjnë pjesën e tyre dhe ju patjetër të ridimensiononi seriozitetin e institucioneve shqiptare, të na nderoni të gjithëve dhe nesër të gjithë së bashku të jemi qytetarë të Evropës pa asnjë lloj dallimi. (*) Përshëndetja për të diplomuarit e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit Luarasi