Tiranë, 9 korrik NOA - "Banda të përbëra nga punonjës të policisë së shtetit të veshur me uniformë dhe civilë, punonjës të SHKB në Ministrinë e Brendshme, punonjës së Drejtorisë së Burgjeve, Ministrisë së Transporteve si dhe persona të tjerë me precedentë penal e të njohur për botën e krimit, të gjithë të armatosur me armë kanë ushtruar presion dhe dhunë ndaj votuesve, ndaj komisionerëve dhe vëzhguesve të PS-së, si dhe ndaj kandidatëve të Partisë Socialiste në zonën e Kombinatit duke mbjellë frikë e terror për të penguar procesin e votimit" kështu deklaroi sot Saimir Tahiri.
"Në vazhdim të denoncimeve të Partisë Socialiste për manipulimet e evidentuara në 28 Qershor, jam këtu para jush për të denoncuar atë që me plot gojën mund të quhet agresion dhe dhunë e organizuar e forcave më të errëta të pushtetit ndaj zgjedhësve, komisionerëve dhe vëzhgueseve të opozitës në pothuajse shumicën e Qendrave të Votimit në KZAZ nr. 50 në Kombinat" tha Tahiri duke treguar për publikun një fotografi në të cilën shfaqeshin personat që sipas tij kanë ushtruar presion dhe dhunë ndaj votuesve, ndaj komisionerëve dhe vëzhguesve të PS-së, si dhe ndaj kandidatëve të Partisë Socialiste në zonën e Kombinatit duke mbjellë frikë e terror për të penguar procesin e votimit.
Ai tha më tej se këto presione sollën pasoja në 12 Qendra Votimi ku vëzhguesit e Partisë Socialiste janë larguar forcërisht dhe nuk janë lejuar më të vëzhgojnë procesin zgjedhor, duke cënuar kështu në thelb integritetin e procesit të votimit dhe të drejtën e PS për të monitoruar me vëzhguesit e saj procesin e votimit në këto qendra.
Për këtë incident janë njoftuar menjëherë edhe përfaqësuesit e OSBE/ODHIR por pa mundur t'i japin zgjidhje.
"Unë, në emër të Partisë Socialiste do të dorëzoj në Prokurori një kallëzim penal për secilin prej këtyre personave, shoqëruar më të gjithë materialet filmike që provojnë aktivitetin e tyre kriminal ditën e zgjedhjeve, duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të tyre nga çdo detyrë publike të paguar me taksat e qytetarëve si dhe fillimin e ndjekjes penale për dhunën e ushtruar ndaj zgjedhësve, komisionerëve dhe vëzhguesve të Partisë Socialiste.
Gjej gjithashtu rastin të paralajmëroj bandën e kriminelëve dhe manipulatorëve në qeveri dhe në pushtet të cilët edhe sot e gjithë ditën vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi qytetarët e thjeshtë, të ndalojnë menjëherë çdo akt të paligjshëm dhe represiv, duke i siguruar se ligji do peshojë me të gjithë forcën mbi të gjithë ata që kanë guxuar apo ende guxojnë të kthejnë Shqipërinë në kohën e frikës e terrorit" përfundoi Tahiri.
k.k/NOA
Â