Shkodër, 10 Korrik NOA - Një aksion i forcave speciale policore ka konkluduar në zbulimin dhe asgjësimin në Shkodër, të afro tre mijë rrënjëve marijuanë, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.
Operacioni u krye në fshatin Mazrek të Komunës Gur i Zi, Shkodër, nga Sektori Kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkoder dhe Repartin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
"Qëllimi i aksionit, ishte për identifikimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike dhe përfundoi me gjetjen e 2826 rrënje, bime narkotike cannabis sattiva (marijuanë).
Policia detajoi për agjencinë NOA se te varrezat e Meshkallës së Sipërme të fshatit Mazrek, në vend të shpyllëzuar dhe pa pronar të ligjshëm, u gjetën gjashtë parcela me 580 rrënjë cannabis sattiva.
Sakaq, pesë parcela me 630 rrënjë marijuanë, u gjetën dhe asgjësuan menjëherë, në vendin e quajtur "Kodër Shëngjergji" të fshatit Mazrek, Komuna Gur i Zi.
Bimët narkotike, ishin mbarështuar në vend të shpyllëzuar dhe pa pronar të ligjshëm, në faqen e kodrës në krah të Liqenit të Vau-Dejësit.
Në parcelën e parë u gjetën 158 bimë, në të dytën 195, në të tretën 164 bimë, në parcelën e katërt 53 bimë dhe në të pestën, edhe 60 bimë narkotike.
Sakaq, po në këtë zonë, në majën e kodrës, pa pronarë të ligjshëm, u gjetën edhe katër parcela me totalin prej 1 120 rrënjë marijuanë.
Kurse në vendin e quajtur "Meshkallë e Poshtme", të fshatit Mazrek, u gjetën pesë parcela me 496 rrënjë cannabis sattiva.
Policia tha se për të gjitha rrënjët e zbuluara, u bë asgjësimi me anë të djegies me zjarr i të 2826 bimëve cannabis sattiva.
"Pasi u kryen të gjitha veprimet e duhura procedurale, po punohet për dokumentimin ligjor të rasteve dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale të "Kultivimit të bimëve narkotike", pa autor", - deklaroi policia, e cila shtoi se "po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve që kanë kultivuar këto bimë narkotike".
r.d/NOA