Durrës, 10 korrik NOA - Kryeministri, Sali Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e përfundimit të sistemit të kamerave në Portin e Durrësit.
Berisha e konsideroi sistemin e ri të kontrollit një investim shumë të rëndësishëm që rrit sigurinë në portin e Durrësit dhe për kontrollin e kufijve.
"Ky është një investim prej 170 milion lekë, që realizon një vëzhgim dixhital të plotë e total në çdo m2 të territorit të portit, rrit shumë sigurinë e portit dhe e bën atë ndër portet më mirë të vëzhguara për të gjithë faktorët e rrezikshëm, e bën ndër portet më mirë të kontrolluara. Ky është gjithashtu një hap shumë i rëndësishëm për kontrollin e shkëlqyer të kufijve, është një kontribut thelbësor për ecjen drejt liberalizimit të vizave, që është një qëllim madhor i vitit të parë të mandatit tonë të dytë," u shpreh Kryeministri.
"Në portin e Durrësit, ka zhvillime të mëdha. Po ndërtohet terminali, i cili, ndonëse është bërë punë dhe kjo nuk mund të injorohet, duhet të ecë me ritme më të shpejta, pasi terminali i ri modern për pasagjerët është i domosdoshëm për t'i shërbyer më mirë, në mënyrë më të qytetëruar të gjithë pasagjerëve dhe për t'i dhënë portit të Durrësit pamjen e re që meriton" tha më tej Berisha.
Kryeministri Berisha shoqërohej në ceremoninë e inaugurimit nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi.
k.k/NOA