Â
Nga Ardian Jasiqi
Prishtinë, 10 Korrik - NOA - Bojken Lako vazhdon që të këtë sukses në Prishtinë. Edhe në koncertin e dytë të mbajtur në Prishtinë, konkretisht në "Duplex", Bojken Lako & The Fish arritën të mbajnë në tension publikun kosovar.
Por Bojkeni sapo ka lënë punën e tij në Top Channel për shkak të disa mosmarrëveshjeve që kishte pasur me drejtuesit e këtij televizioni gjatë fushatës elektorale dhe i është kthyer profesionit.
Sivjet pritet që në treg të dalë me një album të ri dhe do të vazhdojë të bëjë karrierë edhe në profesionin e tij prej regjisori të teatrit dhe filmit.
Njëri nga këngëtarët shqiptarë pa dyshim më i formuari, figura e vetme që ia vlen e rokut shqiptar në përgjithësi, autor tekstesh dhe vokalist: Bojken Lako, tregon këto detale në një intervistë për Express. Është hera e dytë që keni sukses me koncertin tuaj në Prishtinë. A mendoni se ka ardhur koha që të organizoni një koncert më të madh në Kosovë? Besoj se po. Të dy koncertet në Duplex kanë qenë shumë të mira dhe për mua ka qenë një kënaqësi e veçantë. Ka qenë një publik shumë i mirë, ka pasur shumë pjesëmarrje. Nuk e di a ka ardhur koha të mbaj një koncert më të madh, por është diçka që ka më shumë përgjithësi, është diçka që publikut, pasi është shumë i mirë, duhet t'i përgjigjet, pra më të njëjtin nivel, me organizim shumë të mirë. Nuk keni promovuar ndonjë album të ri kohëve të fundit. Pse? Po shumë shpejt e kemi në plan që të nxjerrim në treg një album të ri, një përmbledhje me këngë të reja dhe të vjetra, të ri-orkestruara, variante, bashkëpunime që unë kam me këngëtarë të tjerë dhe një video të këngës "Rrugë", që do të realizohet shumë shpejt. Është një periudhë që po punojmë në pjesën e realizimit të muzikës. Besoj që shpirti i publikut kosovar është i gatshëm të pranojë çdolloj muzike, është një shpirt i madh, aq më tepër për muzikën e rokut, sepse në Kosovë ka shumë artistë që bëjnë muzikë rok të brezave të rinj dhe të vjetër. Pse nuk jeni më në Top Channel pasi që dihet se edhe projekti televiziv "Top Fest" është organizuar nga ju? Nuk e di! Ai është një projekt shumë i mirë televiziv, por tani nuk punoj në Top Channel dhe është një periudhë kohë që nuk kam punuar për krijimtarinë time, duke qenë i fokusuar aty. Pra, më shumë jam duke i kushtuar rëndësi grupit dhe albumit, por edhe fushës time profesionale pasi që unë jam regjisor edhe i filmit edhe i teatrit. Kam ëndërruar gjithmonë që të punoj në regjinë e teatrit dhe regjinë e filmit dhe është një periudhe e gjatë që unë punoj në media dhe tashti do të pauzoj paksa, pasi do ta shfrytëzoj krijimtarinë time pavarësisht asaj se nuk kam shumë dëshirë që të flas për qëndrimin ose largimin tim nga Top Channel, për arsye së është një temë më shumë personale. E përmendet regjinë e filmit. Keni ndonjë skenar filmi apo projekt filmik... Është hera e parë që punoj në këtë fushë. Është një proces paksa i gjatë për zgjedhjen dhe përgatitjen por le të shpresoj që në këto vite të punojmë edhe në këtë projekt. A do ta kishit ftuar Arta Muçajn për të luajtur një rol në filmin tuaj? Përsëri po bëni pyetje që kanë të bëjnë me jetën time personale e që mund të jenë ndopak "scoop" në kuptimin gazetaresk. Besoj që njerëzit janë të lirë që të punojnë me njëri-tjetrin pa të kaluarën e tyre të jetës. Po bashkëpunimet e juaja muzikore si do t'i realizoni dhe kush janë ata më të cilët do të bashkëpunoni? Do të publikoj tashmë një bashkëpunim timin me një këngëtare të re që është në Shqipëri dhe që quhet Ajkuna dhe disa këngëtarë të tjerë për të cilët kam kompozuar këngë në Top Fest, pra këto janë bashkëpunimit. Ku do ta vazhdoni turneun? Do të kisha shumë dëshirë që të mbaj edhe koncerte të tjera në Kosovë. Viteve të kaluara kemi mbajtur koncerte edhe jashtë Prishtinës, pra në qytete të tjera si në Prizren dhe Gjakovë, ku kemi pasur koncerte shumë të mira që edhe këtë verë të mbajmë një koncert në Kosovë. Do të mbajmë edhe disa koncerte të vogla në Mal të Zi, sepse nuk kemi qenë asnjëherë në këtë vend dhe do të kishim shumë dëshirë që edhe në Maqedoni të mbajmë të tillë, si në Shkup dhe në Tetovë. Po ashtu, pritet që mbajmë koncerte edhe në Italinë Jugore, ashtu sikurse kemi bërë vitin e kaluar.
Â
Â