Nga Altin Kodra
Tiranë, 10 Korrik NOA - Kjo fundjavë do të rikthejë në ring boksierin e mirënjohur shqiptar, Kreshnik Qato, i cili do të ndeshet në një ndeshje përgatitore me hungarezi Zoltan Surman.
Qato nuk njeh humbje në këto 4 vitet e fundit dhe ndeshja e së shtunës do të shërbejë si përgatitje për të mbrojtur titullin e kampionit të botës në versionin WBF.
Boksieri i mirënjohur shqiptar dhe kampioni i botës në versionin WBF, Kreshnik Qato, do të rikthehet sërish në ring këtë fundjavë.
Sonte, Qato ka vendosur t'u rikthejë shqiptarëve sërish emocionet e mëdha që dhuron boksi, duke u përballur në një ndeshje përgatitore ndaj hungarezit Zoltan Surman.
Kjo sfidë do të zhvillohet në kryeqytetin anglez, Londër, ku është edhe rezidenca e boksierit të njohur shqiptar, i cili për momentin mban titullin e kampionit të botës në versionin "WBF".
Kjo ndeshje do t'i shërbejë Qatos si parapërgatitja më e mirë për sfidën që do të ketë së shpejti në mbrojtje të këtij titulli.
Surman, apo i njohur shkurt me nofkën "Suri" është një boksier 32-vjeçar nga Hungaria, i cili në karrierën e tij numëron në total 14 ndeshje, prej të cilave 8 fitore (6 me "knock out"), 5 humbje (4 me "knock out") dhe 1 barazim.
Nga ana e tij, Kreshnik Qato ka një bilanc prej 19 fitoresh dhe 6 humbjesh dhe në renditjen botërore të boksit profesionist, ai tanimë renditet i 40-ti midis afro 1,050 boksierëve të kategorisë së peshës së mesme, ashtu sikundër është ngjitur edhe në renditjen evropiane, ku mban vendin e 22-të midis afro 306 boksierëve.
Por më e rëndësishmja është se në katër vitet e fundit ai mbetet i pamposhtur, duke shënuar 12 fitore radhazi.
Deri tani janë shitur mbi një mijë bileta për tifozët shqiptarë që jetojnë në Angli. Duke folur para përballjes së sotme, Qato ka përsëritur se nuk do t'i zhgënjejë dashamirësit e tij dhe tifozët shqiptarë kudo ndodhen.
Qato ka falënderuar promotorin e tij, Ylli Ndroqi, për mbështetjen që i ka dhënë.
Ai u shpreh gjithashtu se, është në formë mjaft të mirë fizike dhe i gatshëm të përballojë çdo sfidë.
"Kjo ndeshje erdhi krejt papritmas në programin tim, pasi ndeshja për mbrojtjen e titullit WBF kundër portugezit Vitor Sa është shtyrë për në tetor, apo nëntor, - ka sqaruar 31-vjeçari shqiptar. Duke qenë se kisha zhvilluar përgatitje në kampin e përhershëm stërvitor në Francë, unë dhe sponsori im, Ylli Ndroqi, vendosëm që të shfrytëzojmë lodhjen dhe stërvitjen time, duke zhvilluar një ndeshje prej 6 raundesh këtu në Londër."
Qato vjen në ndeshjen e tij të 20-të në ringun profesionist, pasi është përballur me letonezin Jurijs Boreiko dhe duke fituar me pikë pas 6 raundesh.
Kjo ndeshje ka qenë e vështirë për 31-vjeçarin shqiptar, pasi në programin e 4 ndeshjeve të 27 marsit 2009, të zhvilluara në "Kensington Taun Holl", ka ndërruar 3 herë kundërshtari. Kështu, pas tërheqjes së Deni Gudit, Qato duhet të përballej me britanikun Toni Rendëll.
Por, në peshimin e bërë në prag të ndeshjes, Rendëll ka rezultuar mbi limitin e lejuar për kategorinë e peshës së mesme, dhe Këshilli Britanik i Boksit e ka skualifikuar atë, duke e zëvendësuar me boksierin letonez.
Ky ndërrim ka rezultuar problematik, pasi, siç ka deklaruar edhe vetë Qato pas ndeshjes, "isha përgatitur për një boksier teknik, si Rendëll, ndërkohë që m'u desh të përballem me një boksier force, siç është Boreiko". Kjo bëri që ndeshja e së premtes të ishte një duel i vërtetë, nga fillimi, deri në fund.
I përkrahur nga afro 1 000 shqiptarët e pranishëm në "Kensington Taun Holl" të Londrës, dhe në prani të Ambasadorit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës në Britaninë e Madhe, boksieri shqiptar ka dhënë gjithçka përgjatë 6 raundeve të përballjes me kampionin balltik të peshës së mesme në versionin EBA dhe WBC, i cili stërvitet prej disa vitesh në Gjermani.
Megjithëse ka kapërcyer një "knock-down" në raundin e pestë, Kreshnik Qato ka arritur të korrë një fitore me pikë, në shifrat 58-56.
"Ishte një nga ndeshjet më të vështira që kam zhvilluar deri më tani në karrierën time si profesionist", - pati theksuar pas ndeshjes boksieri i lindur në Durrës, i cili nuk e njeh tanimë humbjes që prej 21 shkurtit 2004.
Dueli midis Kreshnik Qatos dhe Zoltan Surmanit, është një nga 5 sfidat që do të zhvillohen në mbrëmje në "Kensington Taun Holl" të Londrës, nga të cilat dy janë të peshës "pupël", një i peshës së lehtë dhe një i nënpeshës së mesme.
Curriculum Vitae
Datëlindja: 13 gusht 1978
Mosha: 31 vjeç
Kombësia: Shqiptar
Vendlindja: Shqipëria
Vendbanimi: Uembli, Londër - Britani e Madhe
Gjatësia: 180 cm
Kategoria e peshës:Â E mesme
Promotor: Ylli Ndroqi
Nofka: Shqiponja (The Eagle)
Renditja botërore: 40 / 989
Renditja evropiane: 18 / 281
Bilanci : 25 ndeshje
Fitore : 19 (3 me KO)
Humbje : 6 (2 me KO)
Barazime : 0
Zoltan Surman
Curriculum Vitae
Datëlindja: 20 gusht 1976
Mosha: 32 vjeç
Kombësia: Hungarez
Vendlindja: Bekes - Hungari
Vendbanimi: Bekes - Hungari
Gjatësia: 173 cmÂ
Kategoria e peshës:Â E mesme
Nofka: Suri (Shkurtimi i emrit)
Bilanci : 14 ndeshje
Fitore : 8 (6 me KO)
Humbje : 5 (4 me KO)
Barazime : 1
Â