Tiranë, 10 korrik NOA - Shoqata e minatorëve ka dalë sot kundër vendimit të qeverisë për uljen e moshës së pensionit deri në 60 vjeç.
Ata kërkojnë uljen e moshës së pensionit deri në 50-vjeç në të kundërt do të përshkallëzojnë protestat.
"Do të vendosim përshkallëzimin e grevave duke e çuar ose në vdekje ose realizimin e kërkesave" u shpreh kreu i shoqatës së minatorëve Fiqiri Xibri.
Kryetari e Shoqatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri deklaroi sot në një deklaratë për shtyp se minatorët e konsiderojnë vendimin e qeverisë, si veprën e fundit dhe tallje të kryeministrit në detyrë që u bën minatorëve.
"Për arsyen e thjeshtë sepse siç kemi deklaruar me qindra e qindra herë që 66-vjeç është jetëgjatësia mesatare e minatorit. Si mundet atëherë që kryeministri i nderuar, i përgjegjshëm i Shqipërisë të dalë dhe të deklaroje që po ul moshën e pensionit 60- vjeç?" tha kreu i shoqatës.
 "Ne do të mbledhim ose kongresin e jashtëzakonshëm ose këshillin kombëtar të minatorëve ku do te vendoset protesta, e cila këtë radhe ka vetëm një përfundim, o vdekje o realizim të kërkesave", u shpreh Xibri. Ulja e moshës së minatorëve u miratua gjatë mbledhjes së qeverisë ditën e mërkurë të kësaj jave.
k.k/NOA