Nju Jork, 10 Korrik NOA - Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKSHA) ka uruar sot nga Shtetet e Bashkuara, Partinë Demokratike dhe kreun e saj Sali Berisha për fitoren e zgjedhjeve.
Po ashtu, KKSHA ka uruar popullin shqiptar "për një proces zgjedhor që u vlerësua nga vëzhguesit ndërkombëtarë, si të lira dhe të ndershme".
Më tej, KKSHA-ja përgëzon bashkëpunimin e forcave politike për përpilimin e ligjeve të reja në lidhje me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
"Këto ndryshime ligjore krijuan mundësinë që në Shqipëri të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme", - ka vlerësuar sot, Avni Mustafaj, drejtor ekzekutiv i KKSHA.
Po ashtu, ai tha se "të gjitha forcat politike meritojnë të vlerësohen për kontributin e tyre për të arritur standardet më të larta zgjedhore që janë zhvilluar deri tani në Shqipëri".
Mustafaj nga ana tjetër, konsideron se vitet e fundit, Shqipëria ka pasur një progres sinjifikant për sa i përket arritjes së standardeve të caktuara nga institucionet Euro-Atlantike, gjë që solli anëtarësimin ne NATO. Zgjedhjet e 28 Qershorit, u panë si një hap i madh përpara drejt procesit të anëtarësimit të Shqipërisë ne Bashkimin Evropian.
Sakaq, KKSHA-ja shpreson që Partia Demokratike të krijojë qeverinë e re sa më shpejt të jetë e mundur.
Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKSHA) është një organizatë jo-fitimprurëse dhe jo qeveritare e përkushtuar ndaj mbrojtjes së çështjeve shqiptare, si dhe promovimit të paqes dhe zhvillimit ekonomik në Ballkan me qëllim fuqizimin e politikave demokratike, dhe inkurajimin e respektit për të drejtat e njeriut, duke ju përmbajtur programeve me karakter edukativ dhe zhvillues.
a.b/NOA