English

Rama: Aleanca Meta-Berisha kundër vullnetit të qytetarëve

Tiranë, 10 korrik NOA - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka dalë sot në një konferencë për shtyp ku u shpreh se partia që ai drejton nuk do të heqë dorë nga mandati i nëntë i Fierit.

"Pa u hapur ende retë e zeza të 28 qershorit mbi Fierin, Beratin, Shkodrën, Tiranën e gjetkë, Sali Berisha dhe Ilir Meta nxituan të bëjnë publike marrëdhënien e tyre për ta vënë popullin opozitar përballë faktit të kryer dhe për ta shkurajuar Partinë Socialiste në rrugën e kërkimit të mandatit të 9-të në Fier, të mandatit të 5-të në Berat, e me radhë deri në zbardhjen e plotë të këtij procesi pa standarde, nga ku po del një qeveri e cila quhet e integrimit evropian të Shqipërisë, por në fakt është e integrimit ekonomik të dy oborreve familjare e klanore, në dëm të lirisë e demokracisë së vendit tonë dhe në kurriz të qytetarëve shqiptarë" tha Rama.

Sipas tij, Sali Berishën dhe Ilir Metën i bashkon politika e vjetër e dyfytyrësisë, e gënjeshtrës dhe mllefit, e interesave politike dhe ekonomike tërësisht personale e klanore. "Ata janë sot shëmbëlltyra vetëdemaskuese e një teatri që u luajt për të marrë votat e shqiptarëve, si kundërshtarë të betuar dhe për të krijuar pastaj me këto vota një aleancë të betuar kundër vullnetit dhe interesave të zgjedhësve shqiptarë, kundër ndryshimit të vërtet dhe kundër të vërtetës së 28 qershorit dhe kundër Partisë Socialiste" shtoi më tej kreu i PS."

"Sa më shumë të orvaten në planin e tyre të dështuar për të përbaltur Partinë Socialiste dhe mua personalisht, aq më e qatë bëhet për të gjithë shqiptarët, se ky çift i ri i politikës së vjetër ka lindur për të mbajtur peng të ardhmen e tyre, për të dhunuar vullnetin e tyre, për të plaçkitur atdheun e tyre" tha Rama.

Ai u bëri thirrje atyre të mos prekin mandatin e 9-të në Fier,

"Mos prekni mandatin e 9 të socialistëve në Fier, sepse do të përballeni, jo vetëm me mosnjohjen e zgjedhjeve, por edhe me reagimin e merituar të popullit të Fierit e të gjithë Shqipërisë. Ne nuk e lëshojmë mandatin e 9-të të Fierit me asnjë çmim dhe nuk tërhiqemi nga zbardhja deri në fund e krimit elektoral të 28 qershorit për asnjë arsye.

Dhe ne nuk jemi Sali Berisha apo Ilir Meta, që tjetër thonë e tjetër bëjnë. Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë, forca e parë politike në vend, që sot kemi detyrë të pashmangshme, mbrojtjen me çdo kusht të lirisë e të demokracisë në vend, mbrojtjen me çdo çmim të interesave të vendit e të popullit të dhunuar në vullnetin e tij sovran, mbrojtjen me çdo mjet të së drejtës e të dinjitetit të çdo zgjedhësi që ka votuar në 28 qershor, për t'u ndarë nga e shkuara. Sepse vërtetë koha është e maskarenjve, por Shqipëria është e shqiptarëve" përfundoi Edi Rama.

k.k/NOA

KOMENTE