Tiranë, 10 Korrik NOA - Gjykata e Rrethit të Tiranës ka caktuar sot masën e sigurisë "arrest me burg" për dy të dyshuarit për falsifikim të diplomave.
Roland Papaproko dhe Kujtim Borava, përkatësisht 56 dhe 57 vjeç, nuk kanë pranuar të japin shpjegime përpara gjykatës.
Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Rrethit të Tiranës, rezulton se dy të pandehurit kanë rënë në pranga dy ditë më parë në sajë të operacionit të koduar "Diploma". Arrestimi i dy të pandehurve u krye dy ditë më parë, në rrugën "Riza Cerova", pranë shkollës së mesme të përgjithshme "Partizani".
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën tyre në rrugën e "Kavajës", në të cilën dyshohet të ishte edhe baza e falsifikimeve, të pandehurve iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një vulë e pikës së kalimit kufitar në Kakavijë dhe dy vula të institucioneve joqeveritare.
Po ashtu, atyre iu gjet edhe një diplomë të Fakultetit Ekonomik në Tiranë bashkë me librezën e notave dhe tri leje drejtimi të vulosura të paplotësuara etj.
Të dyshuarit u kapën pikërisht në momentet kur ishin duke falsifikuar një vulë të ministrisë së Mbrojtjes, dega e Mobilizimit Tiranë.
a.k/NOA
Â