English

Tre kongresmenë amerikanë, fushatë diplomatike për Kosovën, letra 25 shteteve të botës

Uashington, 10 korrik, NOA - Tre kongresmenë të njohur amerikanë kanë nisur një fushatë diplomatike për njohjen e Kosovës nëpër botë. Miku i njohur i shqiptarëve në Kongresin Amerikan, Eliot Engel në bashkëpunim me dy kolegë të tij u kanë shkruar letra kryetarëve të 25 shteteve të botës duke u kërkuar që të njohin pavarësinë e shtetit të ri.

Engel, ka qenë avokat i hershëm i të drejtave të shqiptarëve në Ballkan dhe në veçanti është përqendruar në kauzën e Kosovës duke filluar që nga fundi i viteve 1980. Në atë kohë Kosova ishte pothuajse e panjohur në Uashington dhe një vizitë e aktivistit dhe biznesmenit Harry Bajraktari në zyrën e kongresistit bëri që Engel të fillojë të interesohet për këtë çështje. Sot, gati çerekshekulli më vonë bashkëpunimi mes të dyve vazhdon ndërsa Kosova nuk është më një krahinë e shtypur dhe e persekutuar por një shtet i lirë dhe i pavarur. Dy kongresmenët e tjerë që i janë bashkangjitur Engelit në këtë përçapje diplomatike janë Robert Vexler dhe Alcee L Hastings. Të tre ata kanë nënshkruar letrat e dërguara në të cilat argumentohet realiteti i ri në Ballkan dhe kërkohet njohja e Kosovës. Të tre këta politikanë nuk janë anëtarë të zakonshëm të Kongresit. Engel është kryetar i Nënkomitetit për Hemisferën Perëndimore; Robert Ëexler është kryetar i Komitetit për Europën; ndërsa Alcee L Hastings është kryetar i Komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë. Tre kongresmenët janë gjithashtu përfaqësues të zonave që kanë votues me origjinë nga vendet kryetarëve të të cilëve u është dërguar letër. Vendet, kryetarët e të cilave kanë marrë letrat nuk janë radhitur përkrah Serbisë në çështjen e Kosovës, por janë thjesht të pavendosura, të painformuara sa duhet, apo të pa interesuara për të marrë ndonjë anë lidhur me këtë çështje. "Njohja e pavarësisë së Kosovës do të shtonte qendrueshmërinë në Ballkan si dhe do të ishte një vendim i mençur strategjikisht dhe i drejtë ligjërisht", thuhet ndër të tjera në letrën e tyre. Ndërmjet 25 shteteve kryetarët e të cilëve kanë marrë letra janë edhe Meksika, Ekuadori, Salvadori, Guatemala, Haiti, Republika Domenikane, Xhamajka, Kili etj. Letra i njofton kryetarët e shteteve për njohjen e Kosovës nga 60 vende (letra është dërguar përpara njohjes nga Jordania), pranimin e saj nga FMN dhe Banka Botërore dhe punën e bërë nga Nobelisti për Paqen, Martti Ahtisaari për të gjetur zgjidhjen e qendrueshme për një konflikt të vështirë. Letra citon fjalët e ministrit të Jashtëm Skënder Hyseni në Këshillin e Sigurimit se "në Kosovën e re nuk duhet të ketë vend për dhunë dhe urrejtje" dhe se "institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të ndërtuar një demokraci multietnike në paqe me fqinjët e saj dhe që i ndihmon bashkëpunimit, paqes dhe sigurisë së rajonit". Kosova e shpalli pavarësinë në 17 shkurt 2008. Qysh atëherë është njohur nga 61 vende, ndër to edhe SHBA, 22 anëtare të BE-së dhe Japonia. Kundërshtimi i një fuqie si ajo e Rusisë dhe i diplomacisë aktive serbe kanë bërë që njohja nëpër botë të kthehet në një nga sfidat më të vështira të shtetit të ri.

Ky kontribut i kongresmenëve amerikanë, i nxitur nga komuniteti shqiptar në SHBA është i nevojshëm dhe meriton duartrokitje. Ndonëse vendimi për njohjen bazohet në interesat kombëtare të vendit përkatës, nganjëherë e vetmja pengesë mbetet ngecje burokratike apo pritja për ta përdor si një mjet shkëmbimi në marrëdhëniet me vendet që përkrahin Kosovën si SHBA etj. NOA-Iliria

KOMENTE