Dubrovnik, 11 Korrik NOA Foto update - Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, mori pjesë në Samitin e Dubrovnikut "Imperativet strategjikë të Evropës: Energjia, Investimet dhe Zhvillimi".
Në këtë Samit, të organizuar nga Qeveria e Kroacisë në bashkëpunim me qeverinë e Suedisë, vend që mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, merrnin pjesë kryeministra, ministra të punëve të jashtme dhe zyrtarë të lartë të rajonit të vendeve anëtare të BE-së, të Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian, NATO-s, etj.
Temat kryesore të këtij Samit ishin perspektiva euro-atlantike e Ballkanit Perëndimor, forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit rajonal dhe i bashkëpunimit në fushën e infrastrukturës, energjisë, ambientit, etj.
Pjesëmarrësit vlerësuan anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO si një shembull i qartë se reformat dhe vullneti politik për t'i realizuar ato janë vendimtare në arritjen e objektivave të integrimit euro-atlantik të rajonit.
Gjatë Samitit u theksua se perspektiva e qartë evropiane e rajonit është domosdoshmëri dhe motiv për të thelluar reformat në këto vende.
Liberalizimi i vizave brenda vitit 2010 për vendet e Ballkanit Perëndimor u vlerësua si një objektiv i rëndësishëm në rrugën e integrimit evropian të këtyre vendeve.
Në Samit u vlerësua se për të patur një Evropë të bashkuar dhe të lirë është e domosdoshme që asnjë vend të mos shmanget nga projektet dhe nga gjurmët e gazsjellësve transnacionalë dhe se burimet energjetike duhet të diversifikohen.
Të pranishmit në Samit diskutuan edhe për një numër projektesh konkrete të përbashkëta rajonale në fushën e infrastrukturës, energjisë dhe ambientit.
e.l/NOA