English

BE, plan për ndryshime në rregullat e përdorimit të internetit

Bruksel, 11 Korrik NOA - Bashkimi Evropian thotë se ka nevojë për rregulla të reja për shkarkimet nga interneti, për ta bërë më të lehtë që njerëzit të marrin muzikën dhe filmat e tyre, pa iu dashur të përdorin piraterinë.

Duke përcaktuar prioritetet e krahut ekzekutiv të BE për pesë vitet e ardhshme, Komisionerja e Telekomunikacioneve të BE, Viviane Reding, e cituar nga DW, tha se duhet të konsideroheshin ligje të reja, të cilat t'i përshtateshin, si vlerësimit të pasurisë intelektuale ashtu edhe lundruesve të internetit.

"Prandaj do të jetë një nga prioritetet e mia kryesore puna për një kuadër ligjor të thjeshtë e të afërt me konsumatorin për eksesin e përmbajtjes digjitale të tregut evropian, duke siguruar në të njëjtën kohë një shpërblim të drejtë për krijuesit", tha Reding në seminarin e organizuar.

Ligjet aktuale janë të papërshtatshme, tha ajo, sepse në dukje detyrojnë njerëzit, veçanërisht të rinjtë, për të përdorur piraterinë ose për të shkarkuar përmbajtje në mënyrë ilegale.

"Pirateria e Internetit sa vjen e bëhet më shumë në modë, veçanërisht për brezin e internetit", tha Reding, duke cituar një studim që tregonte se 60 për qind e të rinjve, të moshave 16-24, kishte shkarkuar përmbajtje audiovisuale pa paguar për të.

"Rritja e piraterisë së internetit është një votë negative besimi ndaj modeleve ekzistuese të biznesit dhe legjislaturës. Kjo duhet të jetë një thirrje për zgjim ndaj bërësve të politikave",- tha ajo për seminarin e organizuar nga analistët e Këshillit të Lisbonës.

Reding pritet të kërkojë një mandat të dytë të drejtimit të telekomunikacioneve të BE kur portofoli aktual pesëvjeçar i saj të skadojë në fund të 2009.

Ajo tha se një tjetër prioritet ishte digjitalizimi i librave, pasi rreth 90 për qind e librave në libraritë evropiane nuk janë më të gjindshëm në treg.

Komisioni do të kërkojë gjithashtu të inkurajojë pagesat me anë të telefonave celularë, me anë të rregullave të reja që do të propozohen.

"Mungesa e standardeve të përbashkëta dhe e rregullave për pagesat e internetit, për gjithë bllokun e BE, lë një hapësirë të gjerë në rrjetin e celularëve të pashfrytëzuar",- tha ajo.

Komisioni do të punojë për promovimin e video-konferencave për të reduktuar numrin e udhëtimeve të biznesit, që nga ana e tij do të reduktojë emetimet e gazrave shkaktarë të ngrohjes globale.

"Nëse bizneset në Evropë do të zëvendësonin 20 për qind të udhëtimeve të biznesit me video-konferenca, ne do të kursenim afro 22 milionë ton C02 në vit për atmosferën",- shprehet ajo.

Ajo gjithashtu nxiti vendet e Bashkimit Evropian të përshpejtonin kalimin nga televizioni analog në atë digjital, që do të lirojë valët ajrore për aplikime të tjera si valët e telefonisë celulare.

"U bëj thirrje qeverive të BE të mos presin deri më 2012, afatin e fundit të kalimit. Ata duhet t'i sjellin këto avantazhe për qytetarët tani", përfundoi Reding.

KOMENTE