English

Berisha: Korrupsioni, sërish sfida e qeverisë së re

Tiranë, 11 korrik NOA-Lufta kundër korrupsionit duket se do të jetë sërish sfida e qeverisë së djathtë e drejtuar nga kryeministri Sali Berisha.

Edhe në mandatin e saj të dytë, qeveria e re që pritet të marrë trajtën përfundimtare në muajin shtator, ka deklaruar përmes kreut të saj, vendosmëri absolute ndaj kësaj të keqe të madhe të krahasuar me kancerin.

"Kam deklaruar dhe e deklaroj se ne kemi fituar një betejë, por duhet të fitojmë luftën. Në katër vitet që shkuan, ne fituam një betejë të vështirë, por për Shqipërinë dhe shqiptarët rëndësi vendimtare ka fitorja e luftës kundër korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit do të fitohet kur në çdo hap ne të arrimë standarde si ky, kur ne të përjashtojmë subjektivizmin apo vullnetin jo të mirë njerëzor, kur të përjashtojmë ndikimin e babëzisë së njeriut dhe për këtë ju përgëzoj", u shpreh kryeministri Berisha. Këtë deklaratë Berisha e bëri gjatë përurimit të sallës së re të provimit të patentave në Shkozet të Durrësit.

Sipas tij, implementimi për herë të parë në Shqipëri i programit informatik për testimin e kandidatëve për drejtues automjetesh është një praktikë shumë e rëndësishme për luftën kundër korrupsionit.

Kryeministri kërkoi që praktika të tilla të zbatohen edhe për provime në fusha të tjera me qëllim që të përjashtohet abuziviteti.

Kryeministri Berisha shoqërohej në këtë ceremoni nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, nga përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, deputetë të qarkut të Durrësit, etj.

m.i/NOA

KOMENTE