English

Berisha: Provimet, çerdhe të korrupsionit dhe abuzimit

Durrës, 11 Korrik NOA - Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë dje në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të sallës së provimit për patentat, ku gjeti rastin të vlerësojë se testet e ndryshme dhe provimet janë çerdhe të korrupsionit dhe abuzivitetit që theksoi se duhet të marrin fund.

Shefi i qeverisë, pa nga afër implementimin për herë të parë në Shqipëri të programit informatik për testimin e kandidatëve për drejtues automjetesh, në Shkozet.

Duke folur për modernizimin e vlerësimit të kandidatëve për marrjen e lejes së drejtimit të automjetit, Berisha u shpreh se kjo është një praktikë shumë e rëndësishme për luftën kundër korrupsionit.

Kryeministri kërkoi që praktika të tilla të zbatohen edhe për provime në fusha të tjera me qëllim që të përjashtohet abuziviteti, duke theksuar faktin se "nuk ka asgjë më jetike për këtë vend sesa lufta kundër korrupsionit".

Më tej, Berisha lajmëroi se lufta kundër korrupsionit, tani e tutje hyn në një fazë të re: "Kam deklaruar dhe e deklaroj se ne kemi fituar një betejë, por duhet të fitojmë luftën. Në katër vitet që shkuan, ne fituam një betejë të vështirë, por për Shqipërinë dhe shqiptarët rëndësi vendimtare ka fitorja e luftës kundër korrupsionit".

Sipas Berishës, lufta kundër korrupsionit do të fitohet kur në çdo hap ne të arrimë standarde si ky, kur ne të përjashtojmë subjektivizmin apo vullnetin jo të mirë njerëzor, kur të përjashtojmë ndikimin e babëzisë së njeriut.

Berisha siguroi qytetarët shqiptarë se "me mandatin e ri, energjitë dhe vendosmëria ime janë të shumëfishuara për të luftuar me vendosmërinë më absolute korrupsionin, këtë të keqe të madhe, këtë kancer, i cili dominohet vetëm me një luftë të vazhdueshme, konstante dhe të pandërprerë, me reformat më serioze dhe ndëshkimet më shembullore".

v.m/NOA

KOMENTE