English

Kisinger: Obama, një lojtar shahu

Ish-sekretari amerikan i Shtetit, 86-vjeçari Henry Kissinger, në një intervistë për "Spiegel" në Gjermani, shpjegon këndvështrimet e veta mbi idealizmin në politikë dhe shansin që shtrihet para Barak Obamës për të hartuar një politikë paqësore për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E shihni Obamën si një njeri që i përmbahet realpolitikës? Lërmëni t‘ju them një fjalë për realpolitikën, sa për t‘u qartësuar. Unë akuzohem rregullisht se i përmbahem realpolitikës. Nuk besoj se e kam përdorur ndonjëherë atë term. Është veç një mënyrë që kritikët të më etiketojnë mua e të thonë: "Shikojeni. Është gjerman i vërtetë. Nuk i sheh gjërat sipas këndvështrimit amerikan". Atëherë është një mënyrë për t‘ju etiketuar si cinik, apo jo? Cinikët i trajtojnë vlerat si instrumente dhe ekuivalente. Shtetarët i bazojnë vendimet praktike mbi bindjet morale. Është gjithnjë lehtë ta ndash botën në idealistë dhe njerëz të orientuar nga pushteti. Prezumohet se idealistët janë njerëz fisnikë dhe se të orientuarit nga pushteti janë ata që shkaktojnë trazirat në këtë botë. Por unë besoj se më shumë vuajtje janë shkaktuar nga profetët se shtetarët. Për mua, një përkufizim i arsyeshëm për realpolitikën do të ishte të pranoja se ekzistojnë disa rrethana objektive, pa të cilat politika e huaj nuk mund të zhvillohet. Mendoni se fjalimi i Obamës në Kajro ishte i goditur? Apo ka krijuar një seri iluzionesh që politika nuk është në gjendje t‘u përmbahet? Obama është një lojtar shahu që po luan një simultane, të cilën e ka hapur në mënyrë të pazakontë. Tani duhet të luajë dorën e tij me disa kundërshtarë. Nuk kemi kaluar ende përtej fazës hapëse të ndeshjes. Nuk kam asnjë fjalë për të thënë kundër mënyrës se si e hapi lojën. Por a qëndron ajo që po shohim larg realpolitikës së tij të vërtetë? Është shumë herët për ta thënë këtë. Nëse ajo që po kërkon është të bindë botën islamike se Amerika është e hapur ndaj dialogut dhe nuk sheh si strategji të vetme konfrontimin fizik, atëherë mund të luajë rol shumë të dobishëm. Obama nuk mbajti veç fjalimin. Në të njëjtën kohë ushtroi trysni mbi Izraelin për të ndaluar zgjerimin e kolonive në Bregun Perëndimor dhe të njohë shtetin e pavarur palestinez. Rezultat i kësaj mund të jetë veç zgjidhje e dy shteteve dhe duket mbi kufijtë e shtetit të ri se ekzistojnë që tani miratimet. Pastaj, se si e shpalos këtë gjatë fazave të negocimeve, me çfarë problemi hapen, nuk mund ta mësosh nga një fjalim i vetëm. Janë të logjikshme konceptet si "e mira" dhe "e keqja" në kontekstin e politikës së jashtme? Po, por përgjithësisht në shkallë të caktuara. Rrallë në masë absolute. Mendoj se janë disa lloje të këqijash që duhen dënuar e shkatërruar dhe as që duhet kërkuar falje për to. Por njeriu nuk duhet ta përdorë ekzistencën e së keqes për të bërë të mundur që ata që mendojnë se përfaqësojnë të mirën, të mbështeten tërësisht tek e drejta e palimituar për të diktuar vlerat sipas përkufizimit të tyre. Çfarë përfaqëson për ju fjala "triumf"? Pas Luftës së Parë Botërore gjendej një triumfues dhe një viktimë, Gjermania dhe Traktati i Versajës ishte një përpjekje për ta mbajtur disi atë pushtet që kishte humbur. Mendoni se është e mençur të deklarosh triumfin mbi një shtet tjetër? E rëndësishmja pas një triumfi ushtarak është si ta trajtosh shtetin e mundur në mënyrë sa më bujare. Me këtë doni të thoni se nuk duhet shkelur me këmbë kombi i mposhtur? Ose mund ta dobësosh një komb të humbur deri në pikën kur bindjet e tij nuk përbëjnë më rëndësi dhe t'i mund t‘i imponosh ç‘të duash, ose duhet ta rikthesh në sistemin ndërkombëtar. Nga këndvështrimi i Versajës, traktati ishte shumë i butë, kur vinte fjala te vënia për fundi e Gjermanisë dhe shumë i ashpër kur vinte fjala të futja e Gjermanisë në sistemin e ri ndërkombëtar. Kështu që dështoi në të dyja rrafshet. Si do të vepronte një triumfues i mençur? Një triumfues i mençur do ta ngrinte kombin e mposhtur në nivelin që i duhet për t‘u futur në sistemin ndërkombëtar. Një negociator i zgjuar do të rrekej të krijonte një bazë, mbi të cilën mund të mbështetej dhe të qëndronte marrëveshja. A vepruan me mençuri shtetet perëndimore, ndërsa trajtonin ish-Bashkimin Sovjetik në çastin kur ky u shpërbë? Në anën e perëndimorëve kishte triumfalizëm me tepri. U teprua me përshkrimin e sovjetikëve si të mposhtur prej Luftës së Ftohtë dhe ndoshta edhe një dozë e caktuar arrogance. Jo vetëm në drejtim të Rusisë? Edhe në situata të tjera. Ku qëndron ndryshimi mes konflikteve evropiane në fillimet e shekullit XX dhe konflikteve që po shohim ditët e sotme? Në epokat e shkuara, triumfuesi mund t‘i premtonte vetes ndonjë përfitim. Në rrethanat aktuale, nuk ka më vend për diçka të tillë. Për shembull, një përplasje mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës do t‘i dërrmonte të dyja vendet. Do të shkonit aq larg sa të thoshit se ajo që po shohim është fundi i luftërave të mëdha? Besoj se Obama ka përpara shansin unik për të hartuar një politikë të jashtme paqësore. Nuk shoh ndonjë konflikt mes shteteve të mëdha si Kina, Rusia, India dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shkallë të atillë sa të mund të zgjidhet vetëm me forcë. Përkundrazi, ekzistojnë mundësitë për marrëveshje diplomatike. Nga ana tjetër, kriza ekonomike nuk u jep shteteve mundësinë t‘u kushtojnë konflikteve ushtarake përqindjet historike të burimeve të veta. Në këtë pikëpamje jam më optimist nga ç‘kam qenë para dy vjetësh. Situata në Iran nuk ju tremb? Frika nuk është motivacion i mirë për shtetarët. Mund të ndodhë që të shpërthejë ndonjë konflikt lokal, por nuk ka përse të ndodhë. Irani është relativisht i dobët dhe ka trashëguar kapacitete të limituara. Në terma historike raporti i Kinës me pjesën tjetër të botës është shumë më i rëndësishëm se çështjet që ngre Irani.Â

Â

KOMENTE