Shkup, 11 korrik, NOA - Parlamenti i Maqedonisë ka debatuar lidhur me rikonstruimin e kabinetit qeveritar të kryeministrit Nikolla Gruevski. Deputetët e pozitës dhe opozitës kanë drejtuar akuza të ashpëra mes tyre. Opozita ka vënë në shënjestër dështimin e Qeverisë siç u nënvizua në planin ekonomik, pas shkarkimit të ministrit të Financave, Trajko Sllavevski.
Ky i fundit shkarkimin e tij e quajti qesharak dhe jobindës, për shkak se ka kryer detyrimet e tij në postin e ministrit, duke qenë në përputhje me zhvillimet ekonomike dhe krizën ekonomike që ka përfshirë edhe Maqedoninë.
"Nuk kisha dëshirë të jap dorëheqje në këtë moment, për shkak se nuk pashë ndonjë arsye të veçantë apo ndonjë nevojë. Kam dashur të dijë arsyet e vërteta për shkarkimin tim, për shkak se me këtë jepet një sinjal i keq tek institucionet vendore dhe ndërkombëtare", ka theksuar Sllavevski. Nga ana tjetër, kryeministri Gruevski në fjalimin e tij treminutësh dje deklaroi se shkarkimi i Sllavevskit ishte i nevojshëm, për të forcuar kapacitetet e ministrisë së financave.
Deputeti Gjorgji Orovçanec theksoi se kryeministri po ndryshon vetëm ministrat maqedonas dhe nuk prek ata shqiptarë, dhe se sipas tij, kjo tregon se vendi po shkon drejt federalizimit, me ministra maqedonas në njërën anë dhe ministra shqiptarë në anën tjetër. Shefi i grupit parlamentar i PDSH-së, Imer Aliu deklaroi se kjo qeveri po vërteton moratoriumin e vendosur kundër kërkesave të shqiptarëve. Ai theksoi se kjo qeveri nuk ka ministra shqiptarë.
"Kjo qeveri po tregon se është më antishqiptarja në Maqedoni dhe në këtë drejtim kemi parasysh vetëm disa projekte të ndërmarra antishqiptare:provokimi i shqiptarëve me kisha, përmendore dhe kryqe, mosvendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, diskriminimin e shqiptarëve nëpërmjet buxhetit, shkatërrimin e institucioneve shqiptare, ndërhyrjet në USHT, problemet në shkollat e mesme, diskriminimi për përdorimin e gjuhës shqipe dhe çështje të tjera", ka theksuar deputeti Aliu.
Nga ana tjetër, pas gjithë këtyre akuzave, deputeti i BDI-së, Safet Neziri arsyetoi se qeveria funksionon me sukses dhe se kanë raporte të mira me VMRO-DPMNE.
"Qeveria VMRO-BDI është stabile dhe se ajo gëzon një shumica parlamentare", ka theksuar Neziri. Kabineti i Gruevskit ministër të ri të Financave dhe nënkryetar i Qeverisë do të jetë Zoran Stavrevski, zëvendëskryeministër i ri për Ekonomi është Vlladimir Peshevski, ndërsa dikasterin e evrointegrimeve do ta drejtojë Vasko Naumovski. Dikasterin e arsimit është propozuar ta drejtojë Nikolla Todorov, ndërsa ministër i ri i Bujqësisë duhet të jetë Lupço Dimovski, me Perica Ivanovskin si zëvendësministër. Zëvendësministër për Transport dhe Lidhje është propozuar, Goran Mihajllovski.
NOA-INA