Gjirokastër, 11 korrik, NOA - Një 25-vjeçar është arrestuar nga forcat e policisë së Gjirokastrës pasi dyshohej se kishte vjedhur lekë dhe celularë të studenteve në konviktin e vajzave të Universitetit "Eqerem Çabej".
Sipas burimeve policore për agjencinë e Lajmeve NOA, ai është Viktor Gaço, i lindur dhe banues në Gjirokastër, i dënuar më parë për veprën penale të "Vrasjes" dhe veprën penale të ‘Vjedhjes".
Mësohet se ai është ngjitur nëpërmjet tubove të ujit në katin e katërt të konviktit të vajzave të Universitetit "Eqerem Çabej", ku është futur në një nga dhomat e këtij konvikti dhe ka vjedhur lekët, një celular dhe sende të tjera katër studenteve që banonin në këtë dhomë dhe konkretisht:
Studentes S.V , nga Berati, i ka vjedhur një shumë prej 13.000 lekë të reja.
Studentes M.K, nga Tepelena , i ka vjedhur një shumë prej 3.000 lekë të reja.
Studentes B.T, nga Fieri , i ka vjedhur një shumë prej 4.000 lekë të reja , kartën e kreditit dhe celularin me vlerë 20.000 lekë të reja.
Nga kontrolli fizik që iu bë shtetasit të lartpërmendur, iu gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale telefoni celular i vjedhur në konvikt, pronë e studentes B.T, ndërsa lekët i kishte prishur.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të "Vjedhjes ", parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.
n.e/NOA