Tiranë, 11 Korrik NOA - "Jemi gati që të mbrojmë me çdo mjet dhe me çdo çmim, mandatin e nëntë në Fier dhe në këtë mënyrë, votën e qytetarëve".
Këtë deklarimm e bëri para disa minutash në një dalje të posaçme për mediat, zëdhënësja e Partisë Socialiste (PS), Armela Imeraj.
Duke theksuar se Fieri nuk nëpërkëmbet, me forcën e verbër të një pushteti të dënuar me votë, Imeraj shtoi se kjo nuk do të bëhet as me truke gjoja ligjore, që çojnë drejt grabitjes së mandatit që populli socialist i Fierit i ka dhënë Partisë Socialiste.
Më tej Imeraj citoi se "Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Fierit, dhe mbarë Shqipërisë, që votuan Partinë Socialiste në 28 qershor, që të ndjekin nga afër maskaradën e KQZ, dhe të përgatiten shpirtërisht për të ndalur dorën e grabitësve, në rast se KQZ nuk do të ndalet në realizimin e skenarit ogurzi të Sali Berishës".
Për Ramën, asnjë makinacion e poshtërsi në kurriz të popullit të Fierit, dhe në dëm të Partisë Socialiste, nuk do ta tolerojmë, sepse në këtë proces vendoset, jo thjesht fati i një mandati, por çmimi i demokracisë në Shqipëri.
Imeraj citoi sërish Ramën kur tha se "Sali Berisha nuk e ul dot çmimin e lirisë Â dhe të dinjitetit tonë, dhe demokracia shqiptare nuk mund të kthehet në një skemë, ku pushteti fiton pavarësisht si voton qytetari".
Në këtë pikë, Imeraj bëri të qartë se "ne nuk i njohim zgjedhjet në rast se mandati i nëntë i Partisë Socialiste në Fier do të grabitet", - duke shtuar se "ne do ta marrim atë mandat me çdo mjet e me çdo çmim".
"Çdo burrë, grua, djalë e vajzë, që nuk pranon të grabitet në të drejtën e vet themelore, dhe që nuk do të sundohet përgjithmonë nga një regjim që vjedh, jo vetëm pasuritë e përbashkëta, por edhe votat, është i lutur ta ndjekë deri në fund atë që po ndodhë në KQZ dhe të bëhet pjesë e protestës që do të pasojë në rast se mandatin tonë në Fier, e rrëmben çifti i ri i politikës së vjetër", - është vijimi i qëndrimit të Ramës, shprehur nga Imeraj.
e.l/NOA