English

Raporti i OSBE/ODIHR: Zgjedhjet, numërimi me kamera nuk e rriti transparencën

Tiranë, 11 Korrik NOA Update - Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve, publikoi sot, Raportin e katërt për zgjedhjet në Shqipëri ku zhvlerëson numërimin me kamera, risi në proceset zgjedhore shqiptare dhe më gjerë.

Ky është raport i ndërmjetëm paszgjedhor për periudhën 29 qershor-7 korrik 2009 dhe ndalet në vëzhgimin e procesit zgjedhor, duke u përqendruar te numërimi i votave dhe nxjerrja e rezultateve.

Vëzhguesit ndërkombëtarë vlerësojnë në raport se "sistemi i ri elektronik i monitorimit, sipas të cilit secila votë duhet të vendosej para videokamerës që vëzhguesit të shihnin se për cilën parti ishte vendosur shenja, duket se nuk e ka rritur shumë transparencën e procesit".

"Në mënyrë të veçantë, - vijon raporti, - nuk ishte gjithmonë e mundur të shikohej se për cilin subjekt ishte votuar apo nëse votat vendoseshin në stivën e votave të partisë së duhur".

Vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se ndoqën numërimin në të 66 Vendet e Numërimit të Votave (VNV). Ata vlerësuan se numërimi u krye keq ose shumë keq në 22 VNV.

Raporti vlerëson se numërimi i votave u zvarrit dhe u karakterizua nga nivele të larta mosbesimi mes partive politike dhe përfaqësuesve të tyre në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore.

Vonesat në numërim provokuan tension mes partive, sidomos aty ku rezultatet ishin ose dukej sikur ishin të afërta. Në disa raste, numërimi i votave u bllokua përkohësisht. Ndërhyrjet e vëzhguesve të partive dhe kandidatëve në procesin e numërimit krijuan shpesh shpërqendrim nga procesi.

Sakaq raporti thekson se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) zgjodhi shpesh të mos ndërhyjë në rastet kur në VNV kishte probleme.

Njëri nga problemet kryesore që u vunë re nga OSBE/ODIHR, gjatë numërimit ishin mosmarrëveshjet nëse duheshin numëruar ose jo votat nga disa qendra votimi.

Në disa VNV nuk u numëruan të gjitha kutitë e votimit, duke mos u përfshirë në Tabelën Përmbledhëse të Rezultateve.

Kurse evidenton se miratimi nga KQZ-ja i Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për 12 zonat zgjedhore shkaktoi shumë debate, me mosmarrëveshje të përsëritura për faktin nëse në këtë fazë KQZ-ja duhet të numëronte e të përfshinte në rezultat kutitë e votimit që nuk ishin përfshirë në tabela nga Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor (KZAZ). Sakaq, sipas raportit, anëtarët e KQZ-së të propozuar nga shumica parlamentare shkëmbyen akuza të ndërsjella me anëtarët e propozuar nga opozita.

Gjatë periudhës së raportimit, tetë nga dymbëdhjetë Tabelat Përmbledhëse të Rezultateve u miratuan me votat kundër të anëtarëve të propozuar nga opozita.

Deri tani, në KQZ janë bërë 16 ankimime kundër Tabelave Përmbledhëse të Rezultateve nga Zonat e Administrimit Zgjedhor (ZAZ) në qarkun e Tiranës dhe Durrësit. Ankimimet u pezulluan, për t'u ribërë dhe për t'u shqyrtuar pas miratimit të Tabelës Përmbledhëse të

Rezultateve për zonën zgjedhore përkatëse nga KQZ-ja.

e.l/NOA

Lexoni këtu, raportin e plotë

KOMENTE