English

Sejdiu në Maqedoni, prapëseprapë jozyrtarisht

Fatmir Sejdiu viziton FYROM-in (ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë), takohet me Gjorgje Ivanovin, por nuk shkel në ndërtesën e Presidencës së Maqedonisë. Takimi realizohet në Ohër në kuadër të një manifestimi kulturor ku merr pjesë edhe Presidenti Bamir Topi dhe ku relaksimi i raporteve Kosovë-Maqedoni përcillet me tingujt e butë muzikorë të dirigjuar nga italiani Enio Morrikone

Përparim Isufi

Prishtinë, 11 Korrik NOA - Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka pranuar ftesën e homologut të tij maqedon, Gjorgje Ivanov për të marrë pjesë në një aktivitet kulturor në Ohër. E parë si hap drejt relaksimit të raporteve ndërmjet dy krerëve të shteteve, vizita përsëri nuk i jep rast Presidentit të Kosovës të shkelë në ndërtesën e Presidencës së Maqedonisë dhe të pritet me togun e nderit, si një burrështetas. Ivanov dhe Sejdiu kanë një prapavijë jo të mirë të raporteve brenda dy muajve. Ky i fundit qe përjashtuar nga ceremonia e inaugurimit të Ivanovit si President i Maqedonisë në fillim të muajit maj, ndërsa dy javë më vonë ai anuloi vizitën e paralajmëruar për shkak se Ivanov i kishte ndryshuar asaj karakterin në momentin e fundit duke e zhvendosur edhe vendin e takimit nga Shkupi në Ohër. Për t'u vënë raportet ndërmjet tyre në binarë u desht intervenimi i Presidentit të Shqipërisë. Atë që nuk mundi ta bëjë ceremonia e inaugurimit të Ivanovit si President i Maqedonisë dhe përpjekjes së tij të dytë për ta sjellë Sejdiun në Shkup në një vizitë të karakterit privat, e ka bërë bërë manifestimi tradicional "Vera e Ohrit" në të cilin krahas Fatmir Sejdiut do të marrë pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Pjesë e këtij festivali do të jetë edhe dirigjenti i njohur italian Enio Morrikone. Presidenca e Kosovës ka konfirmuar vizitën e Sejdiut në Maqedoni në kuadër të së cilës ai do të zhvillojë takime joformale me Presidentët Ivanov e Topi. Ky do të jetë takimi i dytë se Sejdiu do ta zhvillojë me Ivanovin që nga koha kur ky i fundit mori timonin e shtetit. Për herë të parë dy presidentët shtrënguan duart muajin e kaluar në Vlorë në samitin të cilin Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi e kishte aranzhuar vetëm për t'i takuar dy homologët e shteteve fqinje. Analisti kosovar, Ramush Tahiri e konsideron të parëndësishëm faktin se vizita e Sejdiut në Maqedoni nuk do të ketë karakter zyrtar. "Çdo vizitë dhe çdo takim është gjë e mirë pa marrë parasysh karakterin sepse vetë niveli i atyre që takohen, si funksionarë shtetërorë, i jep rëndësi takimit dhe është mundësi që ata të merren vesh për përparimin e marrëdhënieve", ka thënë të premten Tahiri. Sipas tij, sa më të shpeshta janë takimet, aq më relaksuese janë marrëdhëniet. Takimi Ivanov- Sejdiu vie në një kohë kur debati për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë- Maqedoni ka marrë përmasa gati të njëjta sikur një vit më parë debati për njohjen e Kosovës nga Maqedonia. "Është para së gjithash në interes të Shkupit që marrëdhëniet diplomatike të vendosen më herët, sepse në momentin kur Kosova fiton autoritetin e vet ndërkombëtar, fiton edhe në peshë", thotë Tahiri. Në këtë frymë, analisti nga Shkupi Veton Latifi i ka thënë të premten gazetës "Express" se Maqedonia ka dhënë sinjale të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën falë presionit diplomatik ndërkombëtar. "Është çështje javësh kur Shkupi dhe Prishtina do të vendosin marrëdhënie diplomatike. Ashtu siç e kishte kuptuar vitin e kaluar se nuk mund t'i shmanget njohjes së pavarësisë së Kosovës, tani Shkupi e ka kuptuar se nuk mund t'i shmanget vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Prishtinën", thotë Veton Latifi i cili në Shkup drejton Institutin për Demokraci dhe Zhvillim. Edhe takimi i sotëm i Ivanovit me Sejdiun vie pas presionit ndërkombëtar, nënvizon Latifi. Sipas tij, politika zyrtare e Shkupit karshi Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkan është pozicionuar në premisat e asaj që në kohën e Kiro Gligorovit quhej "ekuidistancë"- të qëndruarit indiferent ndaj asaj që ndodh në rajon. "Po të mos ishte faktori amerikan, Maqedonia edhe më gjatë do ta vononte procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Edhe tani po të mos ishte presioni diplomatik, Maqedonia akoma do ta mbante një qëndrim të ftohtë dhe frustues përballë Prishtinës", thotë ai. Dhe për ta bërë lojën politike në mënyrën çfarë ka dashur, Shkupi zyrtar duket të ketë gjetur teren të përshtatshëm me një skenë politike shqiptare në Maqedoni të përçarë dhe me një politikë të jashtme të Kosovës "të brishtë". "Mendoj se Kosova do të mund të bënte shumë më tepër me anë të iniciativave për ta sfiduar dhe për ta hedhur në akt sa më të kryer politikën e Shkupit, të cilët po mundohen të imponohen si faktor në Ballkan", thotë Veton Latifi.

"Express"

KOMENTE