Qeveria e Shqipërisë do të duhej të jetë faktor aktiv në përpjekjet e shqiptarëve për barazi dhe të drejta kombëtare. Shqiptarët jashtë Shqipërisë assesi nuk bën të lihen të vetëm në ballafaqimet e tyre me fqinjë armiqësorë
Nga Vetëvendosje
Shqipëria e fitoi një mandat të ri qeverisjeje. Populli shqiptar që jeton brenda kufijve administrativë të Shqipërisë votoi për t'ia vazhduar edhe për katër vite qeverisjen Partisë Demokratike të Shqipërisë. Popullin shqiptar e përgëzojmë për këtë zgjedhje. Ndërsa qeverisë së re ia urojmë mandatin e qeverisjes.
Me votat e fituara vjen përgjegjësia. Sepse qytetarët e votojnë qeverinë e caktuar për shkak se besojnë që akëcila parti politike do t'ia mbrojë interesat kolektive e indidivuale më mirë se tjetra. Prandaj vota e qytetarit, para se privilegj, duhet të shihet dhe trajtohet si obligim për përmirësimin e jetës së secilit, dhe trajtimin e duhur të hapësirës dhe resurseve për jetesë të secilit. Qeveria e zgjedhur e ka për detyrë të veprojë sipas vullnetit të qytetarëve, ashtu siç ai është e jo ashtu siç ai disejnohet të jetë nga qarqet e caktuara politike a ekonomike me interesa të veçanta. Se qeveria është e të gjithëve dhe duhet të jetë për të gjithë.
Në rastin e shqiptarëve të gjithë nuk janë vetëm votuesit por edhe që do të ishin votues po të mos pengoheshin nga padrejtësitë e caktuara historike dhe aktuale. Për shkak të rrethanave në të cilat jetojmë dhe aspiratave tona historike e kolektive, Qeveria e Shqipërisë nuk mjafton të jetë vetëm e Shqipërisë. Ajo duhet të bëhet qeveri e shqiptarëve. Qeveria e Tiranës duhet të jetë faktori unifikues politik i shqiptarëve dhe të shërbejë si strumbullari gjenerues i projekteve për të mirën e kombit. Kjo qeveri e ka për obligim edhe Kushtetues përkujdesjen për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë. Ajo duhet të jetë faktori kryesor në mbështetjen e Shqiptarëve për avancim të drejtave dhe lirive kombëtare kudo që jetojnë në Ballkan. Dhe përherë duhet ta ketë parasysh se këto vise të banuara me shqiptarë ishin pjesë të Shqipërisë kjo paraardhësit tanë e shpallën pavarësinë më 1912. Mosrealizimi i Shqipërisë së shpallur ishte rrjedhojë e rrethanave historike të ditura botërisht. Mirëpo mos realizimi i atëhershëm nuk nënkupton heqje dorë nga Shqipëria. Motoja fituese në këto zgjedhje ishte "Shqipëria po ndryshon". Mirë, por po ndryshon në çka dhe drejt çfarë kahjeje?
Viteve të fundit kanë gjetur zbatim disa projekte madhore infrastrukturore të cilat paraqesin mjete të rëndësishme në rrugëtimin tonë politik drejt bashkimit. Një projekt i tillë është gjithsesi rruga që e lidh Prizrenin me Durrësin. Një projekt i tillë gjithsesi do të jetë edhe Rruga e Arbërit që do ta lidh Shkupin me Tiranën. Megjithatë këto janë vetëm mjete. Rrugët e ndihmojnë bashkimin, por ato nuk e bëjnë dot të vetme. Për bashkim na duhet vullneti politik. Ai ekziston në popull, dhe duhet të reflektohet në qeverisje.
Qeveria e Shqipërisë do të duhej:
Të jetë faktor aktiv në përpjekjet e shqiptarëve për barazi dhe të drejta kombëtare. Shqiptarët jashtë Shqipërisë assesi nuk bën të lihen të vetëm në ballafaqimet e tyre me fqinjë armiqësorë. Kjo do të nënkuptonte edhe kushtëzime ndaj shteteve dhe qeverive që i shkel vazhdimisht të drejtat njerëzore e kombëtare të shqiptarëve, si dhe që i diskriminojnë ato. Po ashtu Tirana do të duhej të organizojë konferencë vjetore ku do të mblidheshin të gjithë përfaqësuesit politik të shqiptarëve dhe ku do të merreshin vendimet bazë parimore për bashkërendimin e politikave në të mirë të shqiptarëve.
Të jetë katalizator i projekteve të bashkërenduara ekonomike mes shqiptarëve. Një gjë e tillë nuk pritet nga Qeveria e Kosovës, e cila synon më shumë ndarjen nga Shqipëria se sa bashkimin e kombit. Në këtë fushë ka shumë për t'u bërë, mirëpo është e domosdoshme të fillohet me intensifikimin e tregtisë mes shqiptarëve si dhe bashkëpunimin e ngushtë në distribuimin e resurseve. Kohëve të fundit si Qeveria e Kosovës ashtu edhe ajo e Shqipërisë kanë punuar drejt hapjes së tregut të energjisë. Mirëpo kjo hapje fatkeqësisht po ua mundëson përfitimet të tjerëve e jo shqiptarëve. Kosova dhe Shqipëria nuk duhet ta konkurrojnë njëra tjetrën por ta bashkëpunojnë për ta ndihmuar njëra tjetrën. Ne jemi të rrethuar me armiq. Po qe se veprojmë ndarazi dhe kundër njëri tjetrit  do të na gllabërojnë.
Të jetë strumbullar i bazës së përbashkët arsimore të shqiptarëve kudo ndodhen. Institutet shkencore të Shqipërisë duhet të inicojnë bashkëpunimin me institutet shkencore të shqiptarëve për unifikimin e abetareve, librave të historisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare prej të cilëve mësojnë nxënësit në shkolla. Qeveria e Shqipërisë duhet të ndajë mjete për këto projekte të rëndësishme kulturore dhe të ngulmojë te qeveritë tjera të shqiptarëve, qofshin qendrore a lokale, për ta bërë një gjë të tillë.
T'ua mundësojë të gjithë shqiptarëve ta marrin shtetësinë e Shqipërisë, duke u bërë kështu edhe qytetarë të Shqipërisë. Kështu të gjithë shqiptarët do ta kishin të drejtën ta zgjedhnin Qeverinë e Shqipërisë, dhe kështu kjo qeveri do të bëhej e të gjithë shqiptarëve. Për shkak se të gjithë jemi SHQIPTARË. JEMI NJË.