Tiranë, 12 korrik NOA - Partia Socialiste kërkoi sot rinumërim të votave, publikisht, për disa rajone të vendit, si Fier, Berat, Shkodër, Tiranë etj.
Kërkesa e re u prezantua pasdreken e së Dielës, nga zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj, në një dalje të posaçme për mediat.
Fillimisht, Imeraj foli për procesin e numërimit të votave në disa KZAZ të Fierit, marrë përsipër nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Imeraj paralajmëroi se "duam me çdo kusht mandatin e 9 në Fier, duam pa asnjë kompromis rinumërimin publik të një sërë kutish në Berat, Shkodër, Tiranë dhe gjetkë, ku rezultati është deformuar me mekanizma të paligjshëm".
"Askujt të mos i shkojë ndërmend, - theksoi Imeraj, - se ky proces i manipuluar do të mbetet pa zbardhur, qoftë deri në nxjerrjen e rezultatit dhe qoftë pas nxjerrjes së rezultatit, kur ne do kërkojmë hetimin e plotë të dokumentacionit zgjedhor, në një sërë gropash të zeza të 28 qershorit, dhe nuk do gjejmë paqe pa u ndëshkuar kushdo që ka shkelur ligjin dhe ka cenuar barazinë në zgjedhje".
Për Imerajn, "vetëm transparenca para popullit sovran e shpëton parlamentin e ardhshëm nga mungesa e opozitës, e cila po u shkel në të drejtat e saj kushtetuese e ligjore mbi procesin zgjedhor, nuk do ta njohë parlamentin dhe do të ndjekë rrugën e protestave popullore për shpëtimin e demokracisë".
e.l/NOA
Njoftim: Ndalohet rreptësisht riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i prodhimeve të agjencisë NOA, pa u cituar burimi, në të kundërt media abuzuese do të paditet në gjykatë dhe ndaj tyre do të kërkohet dëmshpërblim, konform dispozitave ligjore