LSI i jep një goditje polarizimit ekstrem politik e social të shoqërisë krijuar nga konfliktualiteti politik. Impakti i tij do të jetë tepër paqtor e pajtues, por do të kontribuojë edhe në gjykimin e politikës jo nga këndvështrimi pasionant e i paragjykuar, por nga vlerësimi racional mbi bazën e performancës dhe rezultatit konkret. Në fund të fundit, kjo është mënyra si gjykon elektorati evropian, pjesë e të cilit do të jetë së shpejti edhe ai shqiptar
Nga Nga Ilir Meta LSI i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Partisë Demokratike, si fituese e zgjedhjeve, për të marrë pjesë në koalicionin qeverisës. Ndonëse përgjigjja pozitive e LSI nuk ka vonuar shumë, asaj "Po"-je i është kushtuar vëmendja, kujdesi, përgjegjshmëria dhe përgjegjësia që kërkon një vendim historik. Ashtu si për të gjithë vendimet e përmasave të tilla, diskutimi dhe debati emocional për to tretet shumë shpejt dhe ajo që mbetet është racionalja e vendimit, pra thelbi i tij dhe pasojave që ai prodhon. Thelbi i situatës dhe pozicionit të LSI-së për të marrë pjesë në bashkëqeverisje nuk është zgjedhja midis Berishës dhe Ramës. Të kontribuosh për një perceptim të tillë, është një zgjedhje me këndvështrim të ngushtë e folklorik, devijim i qëllimshëm nga thelbi i problemit. Po kështu të trajtosh opsionin politik bazuar në emra të përveçëm, është më e pakta një amatorizëm politik, por kryesisht është një manipulim i pastër, që nuk mund të vazhdojë gjatë. Thelbësore është të vlerësosh zgjidhjet dhe pasojat që sjell çdo opsion, por atë zgjedhësh midis krizës dhe stabilitetit. Konventa e jashtëzakonshme e LSI-së, një shembull i shkëlqyer i funksionimit të demokracisë së brendshme, tregoi se institucioni më i lartë i LSI-së kishte adoptuar pikërisht këtë këndvështrim racional. Opsioni LSI-PS, pavarësisht pamundësisë reale si rezultat i qëndrimit konstant armiqësor të saj për eliminimin e LSI-së, nuk sjell asnjë zgjidhje, sepse nuk krijon mazhorancë. Ai sjell kontestimin e zgjedhjeve, protestat, zgjedhje të parakohshme, destabilizim politik, pra sjell krizën. Ky koalicion është i parealizueshëm edhe si produkt i rrethanave të përgatitura nga Kodi Zgjedhor, kryesisht i qëllimeve malinje të PS-së për të zhdukur LSI-në, i sistemit ku numri i votave për një mandat të LSI-së ishte disa herë më i lartë se për PS-në dhe vota e LSI-së ishte e pambrojtur nga mungesa e komisionerëve të saj. Opsioni PS-PD, i mundshëm për t'u realizuar, siç janë shprehur edhe drejtues të lartë të PS-së, gjithashtu është një zgjidhje problematike, pasi LSI me 4 deputetë nuk mund të realizojë volumin sasior të një opozite ndaj një koalicioni të madh. Pra, qeverisja do të ecte pa oponencë të mirëfilltë opozitare dhe kriza në mos e shpejtë, do të ishte afatmesme. Ndërsa koalicioni aktual PD-LSI është alternativa e vetme që garanton stabilitet. Ajo krijon një mazhorancë institucionale, midis partish të pavarura e me profil politik të spikatur, një koalicion dinjitoz, pa mjegullën e pazareve të trafikimit të qenieve parlamentare. Në këtë koalicion, përtej interesave të LSI-së për të zbatuar premtimet e saj elektorale, ka një mundësi reale për të gjetur konsensuse sa më të gjera për të realizuar prioritete e objektiva kombëtare të stabilitetit, zhvillimit e integrimit që i shërbejnë gjithë shqiptarëve. Ndërkohë kritikët më të mëdhenj të LSI-së dhe të këtij koalicioni po kërkojnë të përcaktojnë kushtet e pjesëmarrjes sonë në koalicion, a thua se është përgjegjësi e tyre të administrojnë personalitetin politik të LSI-së. Pasioni dhe mllefi i çon drejt irracionalitetit. Thelbi i koalicionit të ri është i përcaktuar: "Koalicioni për Integrim i Shqipërisë dhe shqiptarëve". Stabiliteti dhe integrimi janë dy kushte themelore për çdo forcë politike në vend. Standardet dhe kushtet që kërkon integrimi janë të qarta. Janë kushte përtej të majtës e të djathtës. Edhe për PS-në të tilla duhet të jenë. Dikush mund të ketë ndjeshmërinë e sinqertë se identiteti i LSI-së mund të dëmtohet në një koalicion me Partinë Demokratike. Por identiteti i një force politike nuk mund të dëmtohet kur ajo bëhet pjesë e zgjidhjeve dhe stabilitetit dhe jo e krizave, mbrojtëse dhe kontribuuese për çështjet e mëdha kombëtare, si integrimi dhe tërësia e reformave që e bëjnë integrimin një realitet të prekshëm për çdo shqiptar. Këtë identitet LSI do ta forcojë më shumë edhe duke thyer tabutë, e duke sjellë një risi të jashtëzakonshme politike dhe produkt i pjekurisë politike dhe vizionare duke mbajtur shikimin nga e ardhmja, nga integrimi, së pari i shqiptarëve midis tyre, e pastaj i shqiptarëve me Evropën. LSI i jep një goditje polarizimit ekstrem politik e social të shoqërisë krijuar nga konfliktualiteti politik. Impakti i tij do të jetë tepër paqtor e pajtues, por do të kontribuojë edhe në gjykimin e politikës jo nga këndvështrimi pasionant e i paragjykuar, por nga vlerësimi racional mbi bazën e performancës dhe rezultatit konkret. Në fund të fundit, kjo është mënyra si gjykon elektorati evropian, pjesë e të cilit do të jetë së shpejti edhe ai shqiptar.